Guvernatori Ismaili: BQK ka qenë e përjashtuar nga masat ndëshkuese të BE-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili tha që masat e vëna nga Bashkimi Evropian në qershor të vitit 2023, nuk kanë ndikuar fare në punën e tyre, ngase BQK ka qenë e përjashtuar nga këto masa ndëshkuese.

“Ne si Bankë Qendrore nuk kemi ndikim direkt. Ne kemi vazhduar bashkëpunimin me partnerët tanë, sepse kemi qenë të përjashtuar nga masat e BE-së. Masat nuk kanë ndikuar aspak në punën tonë” – tha Ismaili gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet, më 13.03.2024.

Këtë deklarim ai e bëri duke iu përgjigjur deputetit nga LDK-ja, Avdullah Hoti, në pyetjen nëse kanë ndikuar masat e vëna nga BE në punën e BQK-së.

Masat ndëshkuese të cilat janë vënë nga Bashkimi Evropian në qershorin e vitit 2023, janë shndërruar në kryefjalë në diskursin politik në Kosovë, meqë si rezultat i aplikimit të tyre, dëmet e shkaktuara në ekonominë e vendit- e veçmas në nivelin lokal, përllogariten të jenë milionëshe.

Bashkimi Evropian ka vënë masat ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor 2023 kur shpërthyen tensionet në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. E, një zhbllokim i tillë nuk po parashihet të ndodhë pa u mbajtur zgjedhjet e reja në këto komuna.

Si datë për votimin e shkarkimit të kryetarëve aktual në katër komunat në veri të vendit, KQZ-ja e ka caktuar 21 prillin 2024.

Përveç pezullimit të financimit të programeve të Bashkimit Evropian dhe mosmiratimit të projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor, këto masa kanë bërë që të pezullohet puna e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe të pezullohen takimet e niveleve politike, përveç atyre që lidhen me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.