Pjetër Shala, Foto: Gjykata Speciale

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, mbrojtësja e viktimave: Viktimat janë dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme

Gjatë deklaratave hyrëse në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, mbrojtja e viktimave ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe zbardhje të së vërtetës.

“Viktimat duan që të pranohet dëmi që u është bërë… viktimat duan rezultat të drejtë që Shala ta pranojë fajësinë dhe kjo të vërtetohet”- tha mbrojtja e viktimave.

Sipas Simon Laws, Pjetër Shala po pretendon se akuzat janë trillime-përalla, por gjatë gjykimit do të zbulohet e vërteta.

“Ai paradite e ka mohuar, Shala po pretendon se këto akuza janë qesharake – përralla, për shkak të kësaj, për llogaritë e atyre që kanë vuajtur ne do të zbulojmë të vërtetën që ka ndodhur. Viktimat pjesëmarrëse në këtë proces kanë të drejtë ta zbulojnë të vërtetën”- u shpreh Laws.

Simon Laws më tej ka thënë se kur viktimat janë ndaluar dhe merreshin në pyetje me mizori, ata dëgjonin njëri-tjetrin tek sa ulërinin dhe e dinin që e kishin radhën.

“Viktimat e të tjerët thonë se i akuzuari Pjetër Shala luante rolin e vet në të gjitha këto krime. Ai dhe të tjerët me të përndoqën personat e dobët dhe të cenueshëm ndaj çdo forme abuzimi për të cilat vendosnin gardianët e tyre”- deklaroi Laws.

Laws ka bërë të ditur se në këtë gjykim do të dëgjohen dëshmitarët dhe ata që vuajtën në Kukës.

“Në këtë proces zërat e atyre që vuajtën në Kukës do të dëgjohen, dhe zërat e tyre që nuk jetojnë më të do dëgjohen, dëshmitë e të cilëve jetojnë në dëshmitë e tyre dhe familjarët e tyre”- tha mbrojtësi i viktimave.

Ndërkaq, Maria Radziejowska, në deklaratën e saj hyrëse ka theksuar se viktimat e këtij procesi janë dëmtuar në masë të madhe.

Mbrojtësja e viktimave ka deklaruar se të ndaluarit janë mbajtur më shumë se një muaj në fabrikën në Kukës, ku janë rrahur në mënyrë të vazhdueshme. Ata po ashtu nuk kanë marr as trajtim mjekësor.

Sipas Radziejowska viktimat ende po i vuajnë pasojat dhe traumat që kanë kaluar.

“Edhe pse kanë ndodhur para më shumë se 20 viteve, dëmtimet dhe vuajtjet që janë shkaktuar vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme të personave që i kanë përjetuar ato”- tha ajo.

Maria Radziejowska ka deklarurar se përmes dëshmitarëve do të nxirret një panoramë e plotë se çka ka ndodhur në fabrikën e Kukësit.

“Do të dëgjojmë dëshmitarë për ndikimin e krimeve, çfarë ndikimi kanë pasur këto krime në jetën e tyre, pa këto dëshmi është e pamundur të nxirret një panoramë e plotë se çka ka ndodhur në fabrikën e Kukësit dhe sa të rënda ishin krimet që kanë ndodhur atje”- u shpreh Radziejowska.

Gjatë deklaratave hyrëse të mbrojtjes së vitimave gjykimi në disa raste është zhvilluar në sesion privat.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020e të  redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Shkrimet e tjera lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.