Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se Fatmir Limaj ishte komandanti kryesor për zonën e Llapushnikut

Shqyrtimi gjyqësor i të hënës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të, i identifikuar me kodin 03879, i cili pritet të dëshmojë edhe në ditët në vijim.

Dëshmitari u pyet nga prokurori Matt Halling për zonën e Llapushnikut, me ç’rast dëshmitari theksoi se komandant kryesor i kësaj zone ka qenë Fatmir Limaj.

Tutje, me paraqitjen e një videoje, në të cilën shihen disa ushtarë të UÇK-së (sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar ishte ceremoni e betimit), dëshmitari identifikoi se ishin të pranishëm Musë Jashari, Fatmir Limaj dhe Ismet Jashari.

Kjo video nuk u pranua si provë pasi që, sipas Gjykatës, nuk ka relevancë me këtë dëshmitar, dhe e njëjta nuk ka vlerë.

Dëshmitari teksa foli për zinxhirin komandues të zonës së Llapushnikut tha se Fatmir Limaj ishte komandanti kryesor, përmendi edhe komandantin tjetër Isak Musliu dhe zëvendësit e tij, Shefqet Buçi dhe Ymer Alishani.

Dëshmitari theksoi se urdhrat komunikoheshin përmes komandës dhe secili raportonte tek eprori i tij.

Ndërsa, kur u pyet lidhur me një dokument ku thuhet se UÇK-ja dhe populli shqiptar po goditen prapa shpinës nga elemente kolaboracioniste, dëshmitari theksoi se nuk e kishte parë këtë dokument gjatë luftës por që kur kishin shkuar në Llapushnik kishte ndjerë njëfarë presioni se pse njerëzit e LDK-së janë kyçur në UÇK.

Kur u pyet se a thuhej nga ushtarët e UÇK-së nëse LDK-ja ishte armik, dëshmitari theksoi se kishte dëgjuar se për të njëjtit është thënë se janë njerëz të pabesueshëm dhe nuk duhet t’i pranojnë.

Për këtë bazë të informacioneve për përgjigjet e dhëna nga dëshmitari, shqyrtimi gjyqësor i sotëm është zhvilluar në sesion privat në shumicën e kohës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.