Gjykimi i Salih Mustafës, dëshmitari Rrahimi tregon kur dëgjoi për emrin “Cali”

Dëshmitari i dhjetë i mbrojtjes në gjykimin e Salih Mustafës në Gjykatën Speciale, Shaqir Rrahimi, ka përfunduar sot dëshminë para trupit gjykues.

Në pjesën e dytë të seancës, Rrahimi u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit mbi kontaktet që ai kishte me ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafën.

Prokurori i çështjes Filipe Deminiqes kërkoi të dijë më shumë rreth momentit të transportimit të Nuredin Ibishit dhe Kapllan Parduzit kur ishte përmendur emri “Cali”.

“Kanë qenë në një distancë afër traktorit kur ka ardhur në tejkalim dhe ka thënë vetëm në të djathë apo të majtë “Cal” me sa më duket dy herë dhe pastaj traktori ka vazhduar në distancë 200 metra para nesh“, shpjegoi Rrahimi.

Mirëpo, Deminiqes e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij ku sot i tha mbrojtjes se nuk kanë biseduar me këta dy personat që i kishin shoqëruar nga Koliqi deri në Rimanishtë.

“Kur e kam ndalur traktorin, kurrgjë nuk ka ndodhur. Asnjë bisedë tjetër nuk kam… Diçka nuk po funksionon. Kontakt në distancë tri metra. Nuk e llogaris kontakt atë dhe jam duke e thënë të vërtetën dhe çka ka ndodhur, kurrgjë nuk ka ndodhur, kaq shkurt ka qenë ai takim”, deklaroi Rrahimi.

Ai sërish u pyet se si mund të ishte i sigurt para një ore që nuk kanë pasur kontakt ndërkaq tani po i kujtohet që jo vetëm ka pasur kontakt por ka shkëmbyer fjalë.

“Diçka s’po funksionon, kontakt një distancë 3 metra, nuk e llogariti kontakt atë dhe po ta them shumë të vërtetën. Edhe bisedë “çka ka ndodh, kurrgjëë s’ka ndodh” qe-kaq, kaq shkurt ka qenë ai takim”, tha Rrahimi.

Mirëpo për kryetaren e trupit gjykues Mappie Veldt- Foglia ky moment u quajt kontakt.

“Por, kjo që ka ndodhur quhet kontakt zoti dëshmitar. Nuk jemi lojë fjalësh, kjo është mënyrë kontakti”, tha gjykatësja Veldt- Foglia.

“S’mu ka dokë e arsyeshme me thonë kontakt. Kontakt e kam llogarit me personin që fol, bisedon 2 minuta, 3 minuta, veç përshëndetje s’e kam llogarit kontakt”, sqaroi përsëri Rrahimi

Sipas dëshmitarit, kur është bërë biseda me këtë personin kanë qenë larg 7-8 apo 10 metra.

Pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, seanca e ditës së mërkurë ka përfunduar, ajo e radhës do të mbahet më 20 prill 2022.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po mbahet në paraburgim.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.