Gjykata vendos për të miturin e dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

Një ngjarje e rëndë është raportuar të ketë ndodhur në Prishtinë para dy ditësh, ku pesë persona dyshohet se e kanë dhunuar seksualisht një vajzë 11-vjeçare. Dy nga të dyshuarit e arrestuar, siç mëson KALLXO.com, janë G.R, 16 vjeç dhe E.R i moshës 27 vjeçare.

KALLXO.com mëson se ndaj të miturit të dyshuar është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Gjykata e Prishtinës ka pranuar edhe një kerkesë tjetër për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit tjetër, E.R, të moshës 27 vjeçare. Seanca ndaj këtij të fundit do të mbahet në ora 13:00.

KALLXO.com më herët raportoi se vajza e cila dyshohet se është dhunuar është e moshës 11-vjeçare.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, dhe siç mëson KALLXO.com dyshohet se pesë persona të ndryshëm e kanë dhunuar 11-vjeçaren në lokacione të ndryshme përgjatë intervalit kohor 17:30 – 00:30.

Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës nga nëna e 11-vjeçares.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë se për rastin në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante.

Tutje ka shtuar se meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë.

“Ankuesja ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur, dhunim, ndaj viktimës. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje” – ka thënë Policia.

Policia është duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të tjerë të involvuar në këtë rast.