Vajza që dyshohet se u dhunua nga 5 persona në Prishtinë është 11-vjeçare

Një ngjarje e rëndë pretendohet të ketë ndodhur në Prishtinë para dy ditësh, ku 5 persona dyshohen se kanë dhunuar seksualisht një vajzë.

KALLXO.com merr vesh se vajza e dhunuar është 11-vjeçare.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht të këtij viti, ndërsa KALLXO.com merr vesh se ngjarja e rëndë ka ndodhur 7 orë, që nga 17:30 deri në 00:30.

Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës nga nëna e vajzës.

Lidhur me rastin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të arrestuarve në gjykatën kompetente.

“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh” – ka thënë Ulaj.

Ulaj po ashtu ka thënë se ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante.

Tutje ka shtuar se meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë.

“Ankuesja ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur, dhunim, ndaj viktimës. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje” – ka thënë Policia.

Policia ka thënë se rasti është në hetime.

Viktima që dyshohet se u dhunua nga 5 persona, është e mitur, rasti u raportua nga nëna