Viktima që dyshohet se u dhunua nga 5 persona, është një vajzë 11-vjeçare, rasti u raportua nga nëna e saj

Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se vajza e saj, 11-vjeçare, para dy ditëve është dhunuar nga pesë persona të dyshuar në Prishtinë.

Lidhur me rastin, Policia ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar, për të cilët është thënë se pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Lidhur me rastin, në një përgjigje për KALLXO.com nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj është thënë se njëri nga personat e arrestuar është i mitur.

“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh” – ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

Ajo ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj po ashtu ka thënë se ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante.

Tutje ka shtuar se meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë.

Ngjarja është raportuat nga Policia se ka ndodhur më 27 gusht të këtij viti, rreth orës 17:30 deri në 00:30.

“Ankuesja ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur, dhunim, ndaj viktimës. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se rasti është në hetime.

Prishtinë, një grua dyshohet se është dhunuar nga pesë persona