Foto: Ilustrim

Gjykata vendos edhe për padinë e “Klan Kosovës” ndaj Komisionit të Pavarur për Media

Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, ka vendosur sot edhe për konfliktin administrativ – rastin e padisë së  “Klan Kosovës” kundër Komisionit të Pavarur për Media.

Gjykata Komerciale hodhi poshtë padinë për anulim të vendimit të KPM-së dhe kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të këtij vendimi, si të parakohshme.

KPM më 19 korrik 2023 kishte nxjerrë vendim për refuzimin e kërkesës për ndryshimin e pronësisë dhe bartjen e licencës të Radio Shqip FM, me seli në Gjilan.

“Klan Kosova” kishte bërë padi për anulim të këtij vendimi të KPM-së dhe kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit pranë Gjykatës më 1 gusht 2023.

Përkundër këshillës juridike që pala mund të ushtrojë të drejtën në ankesë brenda 30 ditësh nga pranimi i vendimit të KPM-së, “Klan Kosova” ka parashtruar padi në Gjykatë dhe ka kërkuar anulimin dhe shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi pa e ushtruar të drejtën në ankesë.

Sipas vendimit të Gjykatës, “Klan Kosova” nuk ka shterur të gjitha mjetet juridike në procedurë administrative.

“… nuk ka parashtruar ankesë në Bordin e Ankesave si organ i shkallës së dytë, të cilat kanë juridiksion për të vendosur për ankesat kundër vendimeve të KPM-së me vendim përfundimtar” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

Prandaj, Gjykata ka vlerësuar që edhe padia për anulim të vendimit por edhe kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të këtij vendimi janë të papranueshme dhe të parakohshme sipas Ligjit për konflikt administrativ.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e mbajtur më 16 Korrik 2023 i kishte dhënë 30 ditë afat televizionit “Klan Kosova” që të plotësonte të gjitha dokumentet e biznesit pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Në rast se nuk plotësoheshin dokumentet, KPM do të merrte masa.