Çka ndodhi në seancën e gjykimit për lokalet e pretenduara në ndërtesën më të lartë në Prishtinë?
Në Gjykatën Komerciale ka vazhduar seanca përgatitore në rastin ku pronari i N.T.P. “Anea”, Naim Berisha, po vazhdon të kërkojë lokalet në objektin e njohur si më i larti në Prishtinë nga “ENK Invest Group”, i cili sot quhet “Prishtina City Center”.
Në seancën e së martës (16.04.2024) u diskutua lidhur me propozimet e paditësit për nxjerrjen e dy ekspertizave, një ekspertizë në fushën e arkitekturës ndërtimore si dhe një ekspertizë financiare lidhur me lartësinë e humbjes së fitimit.
Këto propozime pala e paditur me përfaqësuesin e autorizuar avokat Atdhe Dika i ka kundërshtuar.
“Sa i përket ekspertizës financiare konsiderojmë se jemi në fazë të hershme që një provë e tillë të nxirret tani pasi që fillimisht duhet të konstatohet dhe vërtetohet ekzistimi i njësive afariste, pastaj të mbetet në diskrecion të Gjykatës që të vlerësojë që nxjerrja e një prove të tillë është e nevojshme” – tha avokati Atdhe Dika.
Ndërkaq Gjykata aprovoi propozimin e paditësit për ekspertizën në fushën e arkitekturës ndërtimore. Kurse sa i përket propozimit për ekspertizën financiare Gjykata bëri të ditur se do të vendosë jashtë seancës apo në seancën e radhës.
Kjo çështje është kthyer në rigjykim nga Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale më 23.03.2023.
Rasti po gjykohet nga gjyqtari i Gjykatës Komerciale, Gent Bekeri.
Në vitin 2009, Naim Berisha dhe Azem Salihu vendosën t’i bashkojnë mjetet e tyre me kompaninë “ENK Invest Group” SH.A. që vetëm se kishte filluar ndërtimin e objektit që atë kohë flitej që do ishte mbi 40-katësh.
Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohet në qendër të Prishtinës.
Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’ua kthejë paratë biznesmenëve.
Të dhënat tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për shumë vite.
Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë.
Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është në Gjykatën e Apelit.
Objekti për të cilin bëhet fjalë, që gjendet në lagjen Pejton të Prishtinës, ende nuk ka përfunduar.
Hulumtimin e plotë të Kallxo.com lidhur me këtë çështje e gjeni në këtë LINK.