
Foto: Ilustrim
Shtrenjtimi i rrymës, Gjykata Supreme vendos të favor të ZRRE-së
Rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është lejuar nga Kolegji i Gjykatës Supreme.
Me vendimin e sotëm, Supremja i prishi vendimet e gjykatave më të ulëta përmes të cilëve ishte ndaluar shtrenjtimi i rrymës me arsyetimin se qytetarëve do tu shkaktohej dëm i pariparueshëm.
Sipas gjykatës, e cila e jep fjalën e fundit në vend, pezullimi i shtrenjtimit të rrymës nuk ishte arsyetuar nga Gjykata e Prishtinës dhe ajo e Apelit.
Sipas Gjykatës Supreme, Gjykata e Prishtinës edhe ajo e Apelit kur e kanë pezulluar shtrenjtimin e rrymës gabimisht e kanë zbatuar Ligjin për Konfliktin Administrativ.
Supremja thekson se përfundimet e gjykatave më të ulëta nuk e kanë argumentuar se cili ka qenë dëmi konkret dhe si është i matshëm ky dëm që i shkaktohet paditësit.
“Nga kjo rezulton se arsyetimi i aktvendimit kontestues të Gjykatës së Apelit nuk përmban arsye ligjore dhe bindëse sipas provave në shkresa të lëndës për kushtet ligjore që kërkohen sipas nenit 22 të LKA për lëshimin e masës së përkohshme”, thuhet në vendimin e Supremes.
Në shkurt të këtij viti Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj do të paguanin më shtrenjtë tarifat e entergjisë.
Ndaj këtij vendimi kishte ushtruar padi, Partia Demokratike e Kosovës e cila kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do ti shkaktonte dëmë të pariparueshëm qytetarëve të Kosovës.
E lidhur më këtë kërkesë në prill të këtij viti vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë përmes gjyqtarit Kreshnik Kaçiu.
Vendimi të cilin e ka siguruar KALLXO.com e ka pezulluar përkohësisht rritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët pasi e ka konsideruar si të bazuar kërkesën e PDK-së.
Gjykata vlerësoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do t`i shkaktonte dëm të pariparueshëm qytetarëve dhe se vendimi për pezullim është në interesin publik.
Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë Zyra e Rregullatorit të Energjisë e cila ka paralajmëruar ankesë.
Lidhur me ankesën muaj më parë kishte vendosur edhe Gjykata e Apelit.
Apeli e kishte konsideruar të drejtë vendimin e shkallës së parë dhe e kishte lënë në fuqi vendimin që e pezullonte shtrenjtimin e rrymës.
Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës