Gjykata Supreme lanson udhëzuesin e përgjithshëm për matjen e dënimit

Gjykata Supreme e Kosovës ka lansuar udhëzuesin për matjen e dënimit, i cili do të fillojë të aplikohet në vitin 2025.

Në këtë event të pranishëm ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ushtruesi i detyrës i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, si dhe gjyqtarë e prokurorë.

Hovenier tha se faza e shqiptimit të dënimit është njëra ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale dhe udhëzuesi do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimit për shkeljet e ligjit penal.

“Dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale dhe udhëzuesi i përgjithshëm do ofrojë një kornizë për shqiptimin e dënimit për shkeljet penale në Kosovë”- tha Hovenier.

Sipas ambasadorit, dënimet që shqiptohen nga sistemi i drejtësisë së Kosovës janë të buta dhe joproporcionale.

“Raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta dhe joproporcionale duke theksuar nevojën urgjente që të zbatohet ky udhëzues” – tha Hovenier tutje.

Sipas kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, udhëzuesi i miratuar në vitin 2018 ka shërbyer si pikë reference në trajtimin e rasteve me karakter penal, por me zhvillimet dhe ndryshimet si në Kodin Penal ashtu edhe në Kodin e Procedurës Penale dhe problemet e zbatimit të ligjit në praktikë kanë qenë indicie që udhëzuesi të rishikohet.

“Udhëzuesi i përgjithshëm i miratuar në vitin 2018 ka shërbyer një pikë reference në trajtimin e rasteve penale, zhvillimet e tjera të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale dhe problemet e zbatimit të ligjit në praktikë dhe të udhëzuesit kanë nxitur nevojën për rishikimin e tij”- tha Rexhepi.

Sipas Rexhepit, udhëzuesi i tanishëm për dallim prej atij të vitit 2018 ofron sqarime më specifike për secilin kapitull të Kodit Penal të Kosovës.

Ai tha se këto sqarime ofrohen duke filluar nga pikënisja për matjen e dënimit, pra duke filluar nga 1/2 , 1/3 dhe 2/3 e dënimit.

Sipas Rexhepit, ky udhëzues përfaqëson një aset të vlefshëm për gjykatat.

Tutje kryetari i Gjykatës Supreme tha se problemet aktuale dhe divergjenca e matjes së dënimeve për të njëjtat vepra penale në të gjitha gjykatat po ndikojnë në uljen e besueshmërisë së madhe në gjyqësor, duke u dëmtuar kështu imazhi i gjykatave.

Në këtë lansim ka marrë pjesë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i cili përgëzoi Gjykatën Supreme për lansimin e këtij udhëzuesi që sipas kryesuesit është rishikim i udhëzuesit të vitit 2018.

Sipas Zogajt është moment historik lansimi i këtij udhëzuesi duke marrë për bazë që edhe raportet ndërkombëtare vënë theksin tek unifikimi i praktikës së gjyqësorit.

“E konsideroj tepër me rëndësi momentin kur po lansohet ky udhëzues sepse edhe raportet ndërkombëtare- raporti i Komisionit Europian për progresin vë theksin te unifikimi i praktikës së gjyqësorit”- tha Zogaj.

Në këtë lansim ka folur edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i cili tha se ngjarja për lansimin e udhëzuesit të përgjithshëm për matjen e dënimit ka një rëndësi të madhe për sistemin e drejtësisë.

Kelmendi tha se lansimi i këtij udhëzuesi është një hap i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe mund të bëhet një hap shumë i madh në harmonizimin e matjes së dënimit.

Kelmendi foli edhe për udhëzuesin e vitit 2018, për të cilin tha se kur është lëshuar ky udhëzues, ishin skeptik pasi ishte ai udhëzues që e kishte ndryshuar perspektivën për matjen e dënimit.