Lëndohet shoferi i një kamioni në Ferizaj, një sasi e dheut ia zuri këmbët

Një shofer i kamionit është lënduar pasi që një pjesë e trupit të tij është mbuluar nga dheu në një vendpunishte në Ferizaj.

“Shoferi i një kamionit ishte duke shkarkuar dheun, dyshohet se nga pakujdesia kishte zbritur në tokë dhe për një moment i rrëshqet kamioni me rimorkio dhe një sasi e dheut bie mbi shoferin duke e ngujuar një pjesë të trupit të tij (këmbët)” – tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

39-vjeçari, sipas Policisë, është zhbllokuar nga zjarrfikësit dhe me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Në vendin e ngjarjes, sipas Veselit, kanë dalë hetuesit policorë si dhe inspektorët e punës, ndërsa për të gjitha veprimet e njësive në vendin e ngjarjes është njoftuar prokurori i shtetit.

Ky rast ka ndodhur në rrugën “Reçaku” rreth orës 16:30, sot më 14.05.2024.

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga vendi i ngjarjes.