Foto nga seanca e datës 15.05.2024.
Kontesti 'Telekom - Dardafon', kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit ndërpret seancën
Përfaqësuesit e Telekomit të Kosovës, në seancën gjyqësore mes tyre dhe Dardafon.net të mbajtur më 15.05.2024, përveç kërkesës për përjashtimin e ekspertëve e cila u refuzua nga gjyqtari i rastit, kanë kërkuar edhe përjashtimin e vet gjyqtarit Dren Rugova.
Refuzimi i propozimit të Telekomit nga ana e Gjykatës për përjashtimin e ekspertëve financiar Bashkim Uka, Lekë Musa dhe Blerim Pushkolli nga procedura gjyqësore nxiti reagim nga ana e përfaqësuesve të Telekomit.
“Ku guxon me vepru kështu ti?”– iu drejtua përfaqësuesi i Telekomit, Feim Kelmendi gjyqtarit Dren Rugova, pas vendimit për refuzim.
I menjëhershëm ishte reagimi i gjyqtarit Dren Rugova, i cili kërkoi nga ana e Kelmendit që ta lirojë gjykatoren.
“Nuk dalë. Pse me më përjashtu mua?”- pyeti Feim Kelmendi.
“Nuk ke të drejtë me ju drejtu gjykatës ashtu”– u përgjigj gjyqtari Dren Rugova.
“Ma jep arsyen e unë dalë”– u shpreh Kelmendi.
Pas këtij shkëmbimi gjyqtari vendosi që të ndërpresë seancën dhe të shkohet në pauzë.
Por përfaqësuesi tjetër i Telekomit, avokati Durim Ahmetaj ndërhyri duke kërkuar që para se të shkohej në pauzë t’i jepet e drejta të flasë.
Pasi e mori fjalën ai kundërshtoi vendimin e gjykatës përmes të cilit u refuzua propozimi për përjashtim të ekspertëve, duke e kontestuar bazën ligjore.
“Dispozita e cila u përmend nuk është dispozita që vlen në këtë rast. Përmendëm që janë rrethana të reja andaj nuk është e aplikueshme dispozita e nenit 360.2 por 360.6 e Ligjit për Procedurë Kontestimore e cila thekson se kërkesa për përjashtimin e ekspertëve është paraqitur pasi të jetë kryer ekspertiza. Gjithashtu në argumentimin e gjykatës kundërshtojmë arsyetimin tjetër ku gjykata kontestit në mes të ekspertit dhe PTK-së dhe Telekomit të Kosovës i referohet si pjesë e marrëdhënies së punës”– tha avokati i Telekomit, Durim Ahmetaj.
“Pse po doni me kry procedurën qysh doni ju?” – u shpreh më tutje Durim Ahmetaj.
“Se unë jam gjyqtari. A pe përmirësojmë pjesën ku kontestit i referohemi si pjesë e marrëdhënies së punës?”– tha gjyqtari Dren Rugova.
“Duke qenë se në këtë gjykim debitorit ju është shembur besimi në sistemin e drejtësisë pranë kësaj Gjykate, përkatësisht nga ju si gjyqtari i çështjes ne për këto dhe rrethana të tjera paraqesim kërkesë për përjashtimin tuaj nga ky gjykim”– deklaroi avokati Ahmetaj, dhe me këtë rast me shkrim ia dorëzoi kërkesën e përgatitur për përjashtim.
Pas kësaj kërkese gjyqtari deklaroi se me këtë rrethanë gjykimi nuk mund të vazhdohet dhe seanca e radhës do të caktohet pas vendosjes lidhur me këtë kërkesë për përjashtim nga ana e kryetarit të Gjykatës.
Avokati i Dardafon-it, Alban Makolli kërkoi që ta marrë fjalën.
“Nuk lejohet pas kërkesës [për përjashtim të gjyqtarit] m`u deklaru”– ndërhyri Ahmetaj.
Menjëherë pas këtij deklarimi ekipi i Telekomit të Kosovës vendosën të largohen nga salla.
“Ndjej keqardhje për faktin se parashtresa ka qenë e parapërgaditur para fillimit të kësaj seanca e cila u dorëzua në këtë seancë kinse pas shkeljeve të bëra në këtë seancë nga gjyqtari që udhëheq me çështjen është i mjaftueshëm për të konkluduar se nuk ka bazë për përjashtimin e dhe se edhe ky veprim është vazhdimësi e abuzimit me të drejtat procedurale” – u shpreh në mbyllje të seancës avokati i Dardafon-it, Alban Makolli.
Historiku i kontesit Telekom – Dardafon
Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon.net) iu drejtua Arbitrazhit pas pretendimit se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Tribunali i Arbitrazhit, kishte vendosur në favor të “Dardafon.net”. Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi pretendon se kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.
Sipas pretendimeve të Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.
“Sipas Konkluzionit të organit përmbarues, si dhe sipas ekspertizës financiare e po ashtu sqarimeve të dhëna të ekspertit financiar në seancën e datës 25.04.2023, gjykata vlerësoi se detyrat për nxjerrje të provës me ekspertizë financiare janë dhënë në mënyrë të duhur dhe në kuadër të kufijve të titullit përmbarimor, në raport me zhvillimet në procedurë përmbarimore si deri më tani’’- thuhet në vendimin e Gjykatës.
I njëjti në ekspertizë kishte përcaktuar se Telekomi i Kosovës ka mbetur pa i paguar “Dardafon”-it edhe rreth 5,732,871.34 euro.
Tutje, i njëjti kishte deklaruar se nga llogaritja e borxheve të Telekomit ka filluar nga paraqitja e urdhrit për përmbarim, pra nga propozimi për një urdhër të tillë dhe në bazë të marrëveshjes së arritur mes palëve të datës 17.11.2020.
Telekomi i Kosovës kishte propozuar që të bëhet një ekspertizë e re financiare për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.
Gjykata e Prishtinës me konkluzion, më 25.04.2023, kishte refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.
Sipas vendimit të Gjykatës, debitori – Telekomi i Kosovës Sh.A, e kishte kundërshtuar këtë ekspertizë në vazhdimësi edhe gjatë mbajtjes së seancave dëgjimore në riprocedurë.
Sipas vendimit, Gjykata ia ka falur besimin ekspertizës financiare – plotësimit të saj të datës 31.01.2023 të realizuar në procedurë përmbarimore nga eksperti financiar Remzi Ismajli.