Foto: Lumir Abdixhiku/ facebook

Abdixhiku – Kurtit për zgjedhje: Ju caktojeni datën, ne caktojmë festën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka adresuar kritika për Qeverinë Kurti mbi zhvillimet e fundit politike në vend pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, më 13.05.2024.

Abdixhiku ka thënë se qëllimi i partisë në pushtet është instrumentalizimi i opozitës.

Sipas tij, tavolinave të darkave diskrete LDK- ja i jep përgjigje në mobilizim nacional të djathtë e patriotik.

“Në këtë instrumentalizim ata kanë gjetur dhe aleat. Por nuk do të gjejnë Lidhjen Demokratike. Ne kemi tjetër rrugëtim. Kemi Rrugën e Re. Tavolinave të darkave diskrete u japim përgjigje në mobilizim nacional të djathtë e patriotik sikurse ky sonte. Derisa të majtit bëhen bashkë, e kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë të jetë e veçantë! Aty gjejmë dhe nevojën për përbashkim e për ringritje si një”- ka thënë Abdixhiku më 15.05.2024.

Këto deklarime ai i ka bërë në përvjetorin e 34-të të themelimit të Degës së LDK-së në Ferizaj, ndërsa ka thënë se LDK do të ringrihet.

“Dhe do të ringritemi si një! Krenarë, të djathtë, fitimtarë! Prandaj, ju them dy-tri fjalë; Ju caktojeni datën! Ne caktojmë festën”- ka thënë ai.

Në një darkë e cila zgjati rreth tre orë mes Kurtit dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, më 13.05.2024, është diskutuar edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Këtë takim e kanë refuzuar dy partitë opozitare, AAK dhe LDK.

Pas këtij takimi, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet.

Kurti deklaroi se nuk do të preferonte që të shpërndahet Kuvendi me dy ose tri parti, por që të gjithë “të jenë bashkë”.

Ndërkaq, kreu i PDK-së theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të zgjedhjeve të reja, përmes një mocioni të përbashkët.