Shkolla fillore e mesme e ulët “Nazim Gafurri” në Prishtinë, Foto: Lekë Rizvanolli/KALLXO.com

Festa e Abetares mbahet në shkollë, por prindërit kërkojnë të festojnë pas saj në restoran

Në KALLXO.com është raportuar se Festa e Abetares me klasët e para të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Nazim Gafurri” në Prishtinë, organizohet në restorane.

Pasi ekipi i KALLXO.com ka vizituar shkollën “Nazim Gafurri”, drejtoresha e kësaj shkolle ka deklaruar se Festën e Abetares do ta mbajnë në shkollë, por prindërit i kanë dërguar asaj një kerkesë që pas përfundimit të Festës së Abetares, së bashku me fëmijët të shkojnë në një restoran.

Një anëtare e Këshillit të Prindërve në një intervistë për KALLXO.com tha se kërkesa e tyre është që fëmijët të festojnë pas Festës së Abetares në një ambient të hapur me prezencë të prindërve.

Drejtoresha e shkollës “Nazim Gafurri”, Ardianë Makolli- Sadiku e ka mohuar se Festa e Abetares do të mbahet në restoran.

Teksa ka treguar se këtë festë e kanë mbajtur çdo herë në shkollë, drejtoresha Makolli- Sadiku ka treguar për kërkesën që prindërit e kishin adresuar tek ajo, për organizimin pas Festës së Abetares.

“Festa e Abetares çdo herë në shkollën tonë është mbajtë programi në shkollë edhe do të mbahet prapë në shkollë, por ka pasë një kërkesë kur dojnë (prindërit) pasi të përfundon programi (i Festës së Abetares) të shkojnë, të hanë një drekë a diçka e tillë” – ka deklaruar Makolli- Sadiku.

Sa i përket kërkesës që kanë dërguar prindërit në drejtori të shkollës, Makolli- Sadiku tha se i ka orientuar ta dërgojnë atë në Këshill Drejtues të shkollës, pasi ata duhet të vendosin për aktivitete jashtëshkollore dhe u ka kërkuar që të marrin nënshkrimet e të gjithë prindërve të klasëve të para në lidhje me këtë kërkesë, nëse janë të pajtimit për organizimin pas Festës së Abetares.

udhëzimin administrativ nr. 03/2016 të Ministrisë së Arsimit, sipas nenit 2, paragrafi 1, Këshilli Drejtues i shkollës është organi më i lartë këshilldhënës dhe vendimmarrës në shkollë. 

Kurse, sipas paragrafit 2 të nenit 2, të udhëzimit administrativ nr.03/2016 të MAShTI-t, anëtarët e Këshillit Drejtues janë persona që angazhohen pa pagesë, të cilët përfaqësojnë dhe janë përgjigjegjës ndaj këshillit të prindërve, këshillit të nxënësve, komunitetit, qeverisjes lokale dhe qendrore të tatimpaguesve.

“Ju kam tregu që ajo kërkesë i drejtohet Këshillit Drejtues, jo mua si organ për arsye se aktivitetet jashtë-kurrikulare i aprovon Këshilli Drejtues i shkollës. Të gjithë prindërit, së bashku, d.m.th e bashkangjitin nënshkrimin, katër nënshkrimet e kryesisë (së klasëve të para) edhe gjithë nënshkrimet e prindërve të tjerë se a janë apo nuk janë pro kësaj ideje, a kanë mundësi a s’kanë mundësi” – ka shtuar Makolli- Sadiku.

Sipas informacioneve të Makolli- Sadikut, organizimi i prindërve pas Festës së Abetares mendohet të shënohet edhe me rastin e Ditës së Fëmijëve, më 01.06.2024.

Ajo ka njoftuar se bëhet fjalë për 87 nxënës që janë në klasë të parë dhe do të festojnë Festën e Abetares.

Ndërsa, anëtarja e Këshillit të Prindërve të shkollës “Nazim Gafurri”, Lendita Murtezaj tha se si prindër i kanë kërkuar mësueses dhe drejtorisë së shkollës që t’i dërgojnë fëmijët për drekë, pasi që të kryhet programi i Festës së Abetares në shkollë.

Murtezaj ka thënë se për Festën e Abetares do të paguajnë nga 7 euro, sipas saj, në këtë vlerë do të përfshihet një bluzë për fëmijët dhe një ëmbëlsirë.

Kurse, për organizimin pas Festës së Abetares, Murtezaj njoftoi se prindërit do të paguajnë nga 8 euro, çmim ky të cilin ajo e konsideron të mirëkuptueshëm për prindërit pasi marrin shtesa për fëmijë për çdo muaj nga Qeveria e Kosovës.

Në shtator të vitit 2021 kishte filluar zbatimi i masës 3.5. – Pagesa për Lehona dhe Shtesat për Fëmijë nga Qeveria e Kosovës, me anë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Nga data 03.01.2023, fëmijët deri në moshën 16-vjeçare përfitojnë nga 10 euro shtesë mujore për fëmijë.

“Të gjithë prindërit janë të pajtimit, ne kemi shku me një shumë që është e parapame për çdo prind, është e mirëkuptueshme, duke pas parasysh që edhe Qeveria ua ndanë fëmijëve 10 euro, për çdo muaj, ne kemi shku me atë shumë. Shuma ka me qenë 8 euro, është me drekë edhe tri pije i kanë fëmijët dhe dy euro do të bëhet për ëmbëlsirën” – ka treguar Murtezaj.

Sa i përket përbërjes së Këshillit Drejtues të shkollës, në nenin 3 të udhëzimit adminstrativ nr.03/2016 të MAShTI-t tregohet se nga kush përbëhet ky Këshill.

“Këshilli Drejtues i shkollës përbëhet nga: tre përfaqësues të prindërve, duke përfshirë së paku një përfaqësues të komunitetit joshumicë në komunë nëse ka ndonjë nxënës nga ato komunitete në atë institucion; dy përfaqësues nga shoqëria (palë me interes të emëruar nga komuna); tre përfaqësues të mësimdhënësve; një përfaqësues i nxënësve” – thuhet në pikat e paragrafit 1, të nenit 3, në udhëzimin administrativ nr.03/2016 të MAShTI-t.

Sipas këtij udhëzimi administrativ, drejtori i shkollës ushtron funksionin e sekretarit të Këshillit Drejtues.

KALLXO.com ka raportuar edhe për organizimin e Festës së Abetares në dy shkolla tjera të Prishtinës. 

Më 14.05.2024, KALLXO.com ka raportuar se Festa e Abetares në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë mendohet të organizohet në Gërmi.

Në KALLXO.com një prind e raportoi shkollën “Xhemail Mustafa” në Prishtinë se i obligon prindërit e klasëve të para të paguajnë nga 18 euro për organizimin e Festës së Abetares.

Prindi ka pretenduar se organizimin e Festës së Abetares shkolla “Xhemail Mustafa” do ta bëjë me maskota dhe për këtë ka dërguar një fotografi, për të cilën ai ka thënë se është ofertë e një kompanie dhe në të shihen çmime të programeve me maskota. 

Anëtarja e Këshillit të Prindërve po ashtu e ka konfirmuar se prindërit do të paguajnë nga 18 euro që fëmijët të marrin pjesë në Festën e Abetares.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar edhe më 07.05.2024, se aktivitetet për Festën e Abetares nga Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Iliria” në Prishtinë, që ishin planifikuar të mbahen në një restorant, u anuluan.

Edhe pas insistimit të ekipit të KALLXO.com, drejtoresha e shkollës “Iliria”, Drita Marmullaku- Nishevci, nuk ka pranuar të flasë para kamerës për të treguar se a do ta mbajnë Festën e Abetares në restorant, ashtu siç kishte raportuar një prind.

Marmullaku- Nishevci përderisa është pyetur nga ekipi i KALLXO.com se ku do ta mbajnë Festën e Abetares dhe a është e vërtetë se u është kërkuar prindërve të paguajnë nga 24 euro që fëmijët e tyre të marrin pjesë në Festën e Abetares, e ka mohuar.