
Seanca për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com / 15.05.2024
I akuzuari në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit mohon të ketë pasur kontakte për punë me Radoiçiqin
I akuzuari Nedelko Spasojeviq ka dhënë mbrojtjen e tij në gjykimin për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Oliver Ivanoviq ishte vrarë para selisë së partisë së tij, më 16.01.2018, në Mitrovicë të Veriut.
Ai u qëllua me armë zjarri nga dikush që gjendej në një veturë “Opel Astra”, e cila ishte në lëvizje, pa targa e me xhama të errësuar. Vetura u gjet e djegur menjëherë pas atentatit.
Për këtë rast të akuzuar pos Spasojeviqit janë dhe Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq.
Në seancën e sotme, 15.05.2024, i pandehuri Spasojeviq tregoi momente nga dita kur kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.
“Në një moment e kemi pranu informacionin, kjo ka qenë në ora 8:15 – 8:30. Kemi marrë informacionin se Oliver Ivanoviq është gjetur në një gjendje pa vetëdije në rrugë, afër zyrës së tij, dhe kolegët e kanë thirrë ndihmën e shpejtë. Ndihma e shpejtë ka arritur dhe Oliver Ivanoviqin e kanë dërguar në Spital. Pas disa minutave, nuk e di sa ka qenë ora, pasi që shefi i Operativës (nuk kuptohet) ka qenë me neve në atë vend ngjarje, më ka urdhëruar të shkoj deri te zyra e Oliver Ivanoviqit dhe të verifikoj “a ka diçka për neve?”. Me veturë jam nisur në drejtim të zyrës e cila gjendet 100-150 metra nga vendi ku isha unë paraprakisht” – tha i akuzuari.
Tutje i pandehuri tregoi se me të shkuar në vendin e ngjarjes, në vendin ku ishte qëlluar Oliver Ivanoviq, kishte gjetur rreth 3-4 gëzhoja, dhe e kishte kuptuar se ka ndodhur “diçka e pazakontë”.
“Jam afruar te vendi ku është gjetur Oliveri, do të thotë është pjesë e rrugës përskaj trotuarit, me telefonin tim e kam fotografuar vendin dhe kur e kam zmadhuar e kam vërejtur një gëzhojë të plumbit, do të thotë e kam zmadhuar fotografinë, e kam fotografuar edhe atë gëzhojë, atëherë jam afruar sa më afër që kam mundur, nuk e kam prekur me duart e mia atë gëzhojë. Në atë moment më është dukur e dyshimtë, sepse ka qenë e freskët, e kam pyetur kolegun se e a e ka parë atë, nuk jam i sigurt çka më është përgjigjur, do të thotë nga ajo gëzhojë në anën e djathtë i kam parë edhe 3-4 gëzhoja të tjera” – ka shtuar ai.
Spasojeviq i tregoi trupit gjykues intervalin kohor se sa minuta kishte zgjatur i tërë procesi që nga ardhja e tij te vendi i ngjarjes e deri në momentin kur i kishte vendosur shiritat për ta siguruar vendin.
“E gjithë procedura nga arritja e imja në vendin e ngjarjes e deri në vendosjen e shiritave ka zgjatur diku 3-4 minuta”- tha Spasojeviq.
I pandehuri tha se nuk kishte qenë i afërt me Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin.
“Zvonko Veselinoviqin dhe Millan Radoiçiqin i njoh nga qyteti, me ata as nuk kam qenë i afërt dhe as nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie pune me ta përveçse i njoh nga qyteti” – ka theksuar Spasojeviq.
Përpos, Spasojeviqit mbrojtjen pritet ta japin edhe të akuzuarit Rade Basare dhe Silvana Arsoviq, kurse Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë deklaruar në seancën e 15.05.2024 se do të mbrohen në heshtje.
Rasti po trajtohet në Departamentin Special nga trupi gjykues me kryetar Valon Kurtaj, anëtarët Valbona Musliu- Selimaj dhe Musa Konxheli.
Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Special, Burim Çerkini.
Seanca e radhës pritet të mbahet më datë 11.06.2024.
Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.
Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Ivanoviqit.
Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.
Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.
Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.
E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.
Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.
Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.
Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato.
Sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.