Ilustrim

Arrestohet 36-vjeçari në Ferizaj, dyshohet se që nga muaji mars ka kryer 13 vjedhje

Një 36-vjeçar në Ferizaj po dyshohet për 13 raste të vjedhjeve që nga muaji mars 2024.

I njëjti, sipas Policisë, është arrestuar sot, më 15.05.2024, pasi dyshohet se ka vjedhur një motoçikletë në rrugën “Enver Topalli” më 11.05.2024.

Sipas Policisë, i njëjti dyshohet se që nga muaji mars i vitit 2024 kishte kryer edhe 12 vjedhje të tjera në Ferizaj, kryesisht kishte vjedhur goma dhe bandazhe të rrotave të makinave.

”Hetuesit policorë nën autorizim të prokurorit të shtetit i kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe pas një pune intensive në terren në kërkim të personit të dyshuar kanë arritur që të sigurojnë informacione dhe të identifikojnë të dyshuarin H.B (M/K) i moshës 36 vjeçar, i cili dyshohet që veç vjedhjes së motoçikletës, nga muaji mars i vitit 2024 kishte kryer edhe 12 vjedhje tjera nëpër disa rrugë të Ferizajt, kryesisht kishte vjedhur goma dhe bandazhe të rrotave për makina”- thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, i njëjti pasi është intervistuar nga policët hetues, në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar se i ka kryer vjedhjet.

Ndërsa është bërë e ditur se me vendim të prokurorit të rastit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të tjera hetimore.