Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia e Ferizajt shqipton mbi 260 gjoba në trafik për 24 orë

Policia e Kosovës në Ferizaj ka shqiptuar 265 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion gjatë 24 orëve të fundit dhe ka hequr 5 patentë-shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda.

Organet e rendit në njoftim kanë theksuar disa nga kundërvajtjet e shkaktuara.

Zyrtarët policorë kanë gjobitur 68 shoferë për tejkalim të shpejtësisë, 15 gjoba për përdorim të telefonit e 14 gjoba për vendosje të foljes ose materialit tjetër në dritaret e veturës.

Pesë gjoba janë shqiptuar për drejtim të mjetit pa patentë shoferë, pesë të tjera për skadim të afatit të regjistrimit të automjetit, katër gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon tek shoferët që të bëjnë kujdes.