Germime/Bishtrazhin, Gjakove

Gjenden eshtra në Bishtrazhin të Gjakovës, dyshohet se janë të viktimave të luftës së fundit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se është hasur në eshtra njerëzore gjatë gërmimeve në lokacionin Bishtrazhin të Gjakovës që potencialisht i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Gërmimet janë duke u bërë nga ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë me mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, EULEX-it dhe KNKK-së.

“Në vazhdën e aktiviteteve gërmuese, gjatë këtyre dy javëve, ekipet tona të KQPZH, IML dhe Policia e Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrotjes dhe FSK-së, EULEX-it dhe KNKK, janë duke kryer gërmime në lokacion Bishtrazhin, Komuna e Gjakovës. Sot gjatë gërmimeve, ekipet kanë hasur në eshtra njerëzore të cilat sipas antropologut dr. Valon Hyseni, i angazhuar sot në lokacion, janë me interes forenzik dhe potencialisht i përkasin viktimave të luftës së Kosovës”- thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se Pas analizave të ADN-së ne do t’iu njoftojmë për rezultatet e eshtrave të gjetura.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë nga lufta e fundit në Kosovë 1998/99.