Gazetarja e CNN e ndërpret Vuçiqin teksa përmend numra për "sulmet kundër serbëve" në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është lënë të përfundojë fjalinë në një intervistë për CNN kur nisi të përmendë numra për, sipas tij, “sulmet ndaj qytetarëve serbë” dhe “pastrimin etnik prej kur Kurti erdhi në pushtet”.

Gazetarja Christiane Amanpour iu kthye me shprehjen “mos të hyjmë nëpër numra”, derisa Vuçiq iu përgjigj shkurt “numrat janë të rëndësishëm”.

“Janë 10% më pak serbë që jetojnë në veri të Kosovës pasi Albin Kurti erdhi në pushtet. Ishin 420 sulme kundër qytetarëve serbë në Kosovë….”- tha Vuçiq.

Amanpour e ndërpreu: “Nuk mund të shkojmë nëpër numra zotëri, SHBA dhe BE nuk besojnë se Kosova ka bërë pastrim etnik”.

“Unë besoj se numrat janë të rëndësishëm”- ia ktheu Vuçiq.

Në atë moment presidenti i Serbisë u pyet nëse do kërkojë llogaridhënie nga Millan Radoiçiq, i dyshuar si udhëheqësi i grupit terrorist që kreu sulmin kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator.

“Serbia, natyrisht, do t’i mbajë përgjegjës të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Ai (Millan Radoiçiqi) është në territorin e Serbisë dhe prokuroria do ta bëjë punën e saj,” tha Vuçiq.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të Policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me Policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Vuçiq: Do t’i mbajmë përgjegjës të gjithë ata që kryen krime në Banjskë