Tri kandidatet e RTK-së që u refuzuan për pozita menaxheriale përkundër faktit që u vlerësuan me më së shumti pikë në konkurse | Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

'Radio Televizioni i Burrave', AGK e zhgënjyer me diskriminimin gjinor në RTK

Publikimi i hulumtimit nga KALLXO.com me titull “Radio Televizioni i Burrave”, nxiti reagime të shumta.

Hulumtimi tregoi se si tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik(RTK) nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre treguan për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara.

Siç tregoi hulumtimi i KALLXO, dëshmitë konfirmojnë se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radio Televizionin e Burrave të Kosovës. Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK rrëfejnë procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

Më 25 korrik 2021 Bordi i RTK-së i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës i dominuar nga Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se RTK do të hyjë në një reformë të thellë, ku do të bëhet një riorganizim i plotë i transmetuesit publik.

Reagimi i fundit vjen nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK në reagim thotë se janë të zhgënjyer me diskriminimin gjinor në pozitat menaxheriale në RTK.

“Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës është vënë në dijeni me detajet e konkurseve të kohëve të fundit në Transmetuesin Publik, RTK për pozitat menaxheriale. AGK-ja, shprehet e zhgënjyer me diskriminimin gjinor që rezulton të jetë praktikuar ndaj gazetareve shumëvjeçare, Ilire Zajmi e Flora Masurica Durmishi dhe juristes, Mihrije Beiqi, të cilat nuk janë zgjedhur në pozitat përkatëse përkundër faktit që kanë dalë më të poentuarat në konkurset e hapura”.

Tutje AGK-ja, konsideron se ky është një shans i humbur për të promovuar barazinë gjinore në RTK nga ana e Bordit të këtij institucioni, që në përbërje reflekton barazi gjinore.

“RTK-ja, duhet të motivojë gratë për të konkurruar në pozitat më të larta, dhe t’i bëjë ato pjesë të barabartë të vendimmarrjes, duke njohur kështu kontributin e jashtëzakonshëm që ato kanë dhënë ndër vite për zhvillimin e Transmetuesit Publik”, përfundon reagimi i AGK-së.

Radio Televizioni i Burrave