FOTO - Vendi ku u xhirua me dron Millan Radoiçiq në Banjskë

Ekipi i KALLXO.com që ndodhet në brendësi të fshatit Banjskë ka sjell fotografi të vendit ku u xhirua me dron nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq bashkë me pjesëtarë tjerë të grupit terrorist.

Në këto fotografi duket objekti i cili shihet në pamjet nga droni që u publikuan dje nga Qeveria e Kosovës.

Pamjet tregojnë momentin kur personi i cili pretendohet të jetë Millan Radoiçiq sheh dronin dhe në po të njëjtin moment njëri nga pjesëtarët e grupit vendos kapelën në kokë dhe të gjithë hyjnë brenda objektit.

Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

Ministri Sveçla ka thënë se Radojçiq ka qenë udhëheqës i grupit terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë Lista Serbe, aktualisht besohet se gjendet në kryeqytetin serb, Beograd, duke u shëruar pasi dyshohet se është plagosur gjatë sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, të dielën, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Policia e Kosovës ka liruar për qarkullim rrugën që të dërgon brenda territorit të fshatit Banjskë, aty ku ditëve të fundi Policia ka zhvilluar aksionin e bastisjeve pas sulmit të grupit terrorist.

Ekipi i KALLXO.com nga vendi i ngjarjes raporton se mediat tashmë po lejohen të raportojnë nga brenda zonës.

Ekipi i KALLXO.com është lidhur direkt nga vendi i ngjarjes, ku mund të shihni pamjet brenda lokacionit ku ndodhi e gjithë ngjarja të dielën që nga orët e para të mëngjesit.