Foto: Ambasada e SHBA në Kosovë, Facebook

Ambasadori amerikan: Serbia duhet t'i mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin në Banjskë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë për KALLXO.com, se Serbia duhet t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Në një deklarim për KALLXO.com, Hovenier ka thënë se ShBA-të kanë qëndrim të qartë për Millan Radoiçiqin, i kërkuar nga INTERPOL-i lidhur me ketë sulm.

Hovenier ka thënë se Radoiçiq “është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi.”

“Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës. Ne kemi një pikëpamje të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”- thuhet në përgjigjen e Hovenier për KALLXO.com.

Kjo deklaratë e Hovnier vjen pas raportimeve se ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq është takuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i.

Hovenier i tha KALLXO.com, se është në dijeni të raportimeve të mediave për siç thotë ai “takimin e supozuar.”

Ambasadori i SHBA-së deklarohet lidhur me takimin e Gjuriqit me Radoiçiqin