Millan Radoiçiqi, çelësmbajtësi i sekreteve për konfliktin në Banjskë - Tetë milionë e gjysmë euro për heshtje

Për dallim nga hetimi, i cili është duke stagnuar, kompanitë e Radoiçiqit po punojnë me hov të plotë, sepse ai formalisht ua transferoi partnerëve të tij, Zvonko dhe Zhelko Veselinoviqit pjesën e tij. Vetëm pak ditë pas konfliktit, shteti i pagoi 8,5 milionë euro kompanisë “Rad 028”, e cila është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të dyshimeve se kontrollohet nga Radoiçiqi, për “furnizime të paspecifikuara”, ndërsa Inkop nga Qupria u angazhua për ndërtimin e një ure afër Kralevës, thuhet në artikullin e gazetarit serb Millan Radoniq, i publikuar në median serbe Radar.

Ende ka shumë të panjohura rreth konfliktit të armatosur në Banjskë – rast i tmerrshëm pa emër për Serbinë, i quajtur në mënyrë kolokuiale si kolaps i politikës kosovare të presidentit serb, ose më saktë Klaster katastrofa, siç e kanë emëruar përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Beograd. Ky term ndoshta në mënyrën më gjithëpërfshirëse përfshin atë ngjarje të veprimit të zgjatur e cila – tashmë është e qartë – do ta përcjellë procesin e “negociatave” me Prishtinën deri në fund, duke theksuar edhe më shumë konturat e një zgjidhjeje e cila është në tavolinë për një kohë të gjatë.

Shpërthimi në Banjskë, të cilin e orkestroi Millan Radoiçiqi, mbolli shumë mina më të vogla, por politikisht vdekjeprurëse, për shkak të të cilave Beogradi tash është i detyruar të jetë i vëmendshëm në çdo hap të vetin që nga 24 shtatori 2023. Ky biznesmen kontrovers, të cilit i është dhënë franshiza e menaxhimit të komunitetit serb në veri të Kosovës, fillimisht ka suspenduar të gjitha ligjet e tyre të shkruara dhe të pashkruara, ua ka thyer copë-copë respektin për veten, ua ka shkatërruar unitetin, ka shuar të gjitha partitë politike dhe gjatë rrugës u bë jashtëzakonisht i pasur. Dhe ai ende po pasurohet, sepse për dallim nga hetimi që po stagnon, disa nga kompanitë e tij punojnë me hov të plotë dhe gazdallarëve u sigurojnë me dhjetëra miliona euro fitime. Dhe fakti se që nga 6 tetori (2023) Radoiçiqi nuk është më zyrtarisht një nga bashkëpronarët e disa ndërmarrjeve, sepse pjesën e tij në to ua ka transferuar ortakëve të tij, vëllezërve Zvonko dhe Zhelko Veselinoviq, nuk ndryshon asgjë, por nuk ka fare dyshim se ata do të dinë të ndajnë fitimet, sikur të mos kishte ndryshuar hiq struktura pronësore.

Tenderët për të përzgjedhurit

Vetëm dy ditë pas konfliktit të armatosur në Banjskë, më 26.09.2023, kompania Rad 028 nga Zveçani, të cilën Ministria e Financave të SHBA-së e kishte vendosur në listë të zezë për shkak të dyshimeve se kontrollohet pikërisht nga Radoiçiqi, fitoi dy tenderë të shpallur nga Komuna e Zveçanit. Puna e parë ishte kontraktuar për 358,3 milionë, ndërsa e dyta për 142 milionë dinarë, siç mëson Radari. E dy ditë më vonë, më 28 shtator (2023), Rad 028 është shpallur fitues i dy tenderëve të tjerë dhe mbi atë bazë ka lidhur edhe dy punë, në vlerë prej 500,37 milionë dinarësh. Të katër tenderët janë shpallur në kuadër të Programit për shpërndarjen dhe përdorimin e fondeve stimuluese për zhvillim afarist dhe ekonomik për vitin 2023, për “furnizim me pajisje prodhuese dhe të tjera, makinerive, pjesëve dhe veglave dhe makinerive dhe punimeve ndërtimore”, ndërsa afati për pagesën e këtyre parave nga buxheti i Qeverisë së Serbisë ishte 30 ditë. Mbi këtë bazë shteti i ka paguar tetë milionë e gjysmë euro kompanisë Rad 028 për “furnizime të paspecifikuara me pajisje të paspecifikuara” dhe mbështetje për ndërmarrësinë! Edhe para kësaj, qeveria ka përkrahur bujarisht “ndërmarrësit” e caktuar nga veriu i Kosovës. Falë kësaj përkrahjeje, kompania Rad 028 nga Zveçani, vetëm në dhjetë vitet e fundit, deri në konfliktin në Banjskë, ka fituar më shumë se njëqind tenderë, të cilët janë financuar me paratë e buxhetit të Serbisë apo nga vetëqeverisjet lokale.

Njeriu të cilin pas Banjskës e quajnë “komandant” asnjëherë nuk ka pasur qëndrim servil ndaj presidentit. Përderisa Vuçiq kënaqet me poshtërimin dhe ofendimin publik të bashkëpunëtorëve të tij, Radoiçiqi është i gatshëm të shpërndajë flakaresha për vartësit në publik, ndërsa pas dyerve të mbyllura të ju thyejë nofullat dhe duart.

Është indikative se në pesë vitet e para, që nga fillimi i vitit 2014 deri në fund të 2018, vlera e atyre punëve për shtetin ka qenë relativisht modeste, “vetëm” 7,16 milionë euro. Rritja marramendëse e të ardhurave dhe fitimeve të kompanisë nga Zveçani filloi disi në të njëjtën kohë kur Radoiçiq në vitin 2018 u bë nënkryetar i Listës Serbe, dega e PPS-së në Kosovë. Vlera e punëve të cilat Rad 028 i kishte lidhur me shtetin në pesë vitet e ardhshme është rritur 14 herë, në 102,6 milionë euro. Pra, deri në konfliktin në Banjskë, vlera e punëve të kontraktuara arrinte gati 120 milionë euro, zbulon Radari.

Policia para manastirit në Banjskë. Foto Armend NIMANI / AFP / Profimedia
Policia e Republikës së Kosovës para manastirit në Banjskë. Foto Armend NIMANI / AFP / Profimedia

Megjithatë, që nga janari i këtij viti, situata ka ndryshuar ndjeshëm. Si duket edhe qeveria e ka kuptuar se gjërat kanë marrë teposhtën dhe që nga kjo kohë nuk ka informacione të jetë kontraktuar ndonjë punë e re me kompaninë nga Zveçani. Të lihet mënjanë se pyetja e vërtetë është si i kishte marrë deri në këtë kohë, sepse shumica e projekteve për të cilat është angazhuar nuk i ka përfunduar kurrë, e disa as që i ka nisur, ndërsa pronari formal, Radulle Steviq, është në listën e sanksioneve të Ministrisë së Financave të SHBA-së nga dhjetori 2021 për shkak të bashkëpunimit me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin. Për një kompani që më parë merrte disa prokurime publike në ditë, kjo sigurisht paraqet ndryshim dramatik. Mirëpo, për dallim nga Rad 028, kompanitë e tjera të themeluara bashkërisht nga Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq po punojnë pa pengesa. E vetmja gjë që ka ndryshuar është struktura pronësore e kompanisë mëmë, ombrellë, Inkop, e cila është e regjistruar si pronare e disa kompanive të varura (“Novi Pazar put”, “Betonjerka” Alleksinac, “Doli Bel” nga Beogradi, në pronësinë e së cilës është edhe hoteli me të njëjtin emër në Kopaonik dhe “Putna Gradnja” nga Rozhaja), ndërsa ka edhe një pjesë pronësie në “Granit Peshçar” nga Lig.

Për të parandaluar dëmtimin e mundshëm, 12 ditë pas konfliktit në Banjskë, Radoiçiqi ka ndarë 40 për qind të aksioneve të tij në Inkop në pjesë të barabarta vëllezërve Veselinoviq, kështu që tani pjesa e Zvonkos është 60 për qind, ndërsa e Zharkos 40 për qind. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që në Inkop pronarët ndërrohen formalisht me marrëveshjeje ortakësh. Deri në shtator të vitit 2018, në vend të tre ortakëve nga veriu i Kosovës, si pronare e Inkop-it në ARN ishte regjistruar Dushica Maksimoviq, motra e vëllezërve Veselinoviq, e cila më pas ua “dhuroi” kompaninë atyre. Pronarët “e rinj” mbajtën drejtorin e vjetër, Millan Milletiq nga Qupria, një nga donatorët e PPS-së në zgjedhjet e vitit 2012, i cili edhe sot është përfaqësuesi ligjor i saj. Shteti ia kishte besuar Inkop-it, vetëm tre ditë pas konfliktit në Banjskë, për të cilin Radoiçiqi mori përgjegjësinë publikisht më 27 shtator, përmes ndërmarrjes publike “Putevi Srbije”, ndërtimin e një ure në afërsi të Kralevës, ndërsa kjo punë u kontraktua për një çmim rreth një milion euro. Përveç kësaj, Inkop është i angazhuar si nënkontraktor në ndërtimin e autoudhëve të shumta, rrugëve të rezervuara për mjete motorike, rrugëve rajonale dhe lokale.

Shteti punëdhënësi kryesor

Falë punëve për shtetin, Inkop shumë shpejt hyri në listën e “100 kompanive më të mira…”, e cila publikohet çdo vit nga ARN bazuar në raportet financiare. Vetë Inkop, pa ndërmarrjet e tjera vartëse, me një fitim neto prej më shumë se dy miliardë dinarë në vitin 2022, hyri në grupin e pesë kompanive ndërtimore me fitimin më të lartë në Serbi, menjëherë pas kompanisë kineze “China Railway International”, e cila atë vit kishte një fitim neto prej 2,4 miliardë dinarësh. Në vetëm dy vite, 2021 dhe 2022, të gjitha kompanitë e kontrolluara nga tre biznesmenë me origjinë nga veriu i Kosovës u kanë sjellë pronarëve të tyre një fitim neto prej 47,6 milionë euro.

Para se të merrej nga Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq, “Novi Pazar put” kishte fitim neto gjithsej prej 300 mijë eurosh në dy vite, 2018 dhe 2019, ndërsa në dy vitet e fundit për të cilat ka të dhëna zyrtare, 2021 dhe 2022, fitimi i realizuar është rritur 55 herë, në 16,7 milionë euro. Gjithashtu, nën komandën e tre gazdallarëve të rinj, fitimi neto i konsoliduar i Inkop-it u rrit për 5.200 për qind nga viti 2018 në 2022, nga 0,54 në 28,8 milionë euro, andaj me padurim priten të dhënat zyrtare për vitin 2023, duke pasur parasysh se makinat me shenjat e Inkop-it mund të shihen në projektet infrastrukturore të cilat financohen me paratë e taksapaguesve ose kredive të huaja që do të shlyhen nga të gjithë qytetarët e Serbisë.

Ndonëse Kosova, siç thotë ai vet, është shqetësimi i tij më i madh dhe për këtë arsye ai është i ekspozuar ndaj presionit ndërkombëtar në rritje, dhe deri vonë për Millan Radoiçiqin thoshte se “ai nuk është akademik, por i mbron serbët”, presidenti Vuçiq tani më nuk e fsheh se i pengon shumë kur Radoiçiqin e quajnë aleat të tij. A është kjo sepse e lidhin me një person të sanksionuar nga SHBA-të dhe për të cilin, me kërkesë të Prishtinës, është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar nga Interpoli? Apo ndoshta sepse, si jurist i diplomuar, do të duhej ta dinte se vetëm dorëzimi i burimeve dhe autoritetit shtetëror te një person i profilit të Radoiçiqit në çdo vend normal do të mjaftonte për të ndjekur penalisht personin që ka lejuar një gjë të tillë, e lëre më ka urdhëruar? Apo arsyeja e nervozizmit është e një natyre tjetër?

Njeriu nga Gjakova, të cilin pas Banjskës e quajnë “komandant” dhe për nder të cilit organizohen festimet e ditëlindjes me fishekzjarrë, asnjëherë nuk ka pasur qëndrim servil ndaj presidentit, e edhe më pak gatishmëri për poshtërim publik, që është aq karakteristik për të gjithë bashkëpunëtorët e Vuçiqit.

Përderisa Vuçiq kënaqet me poshtërimin dhe ofendimin publik të bashkëpunëtorëve të tij, Radoiçiqi është i gatshëm të shpërndajë flakaresha për vartësit në publik, ndërsa pas dyerve të mbyllura të ju thyejë nofullat dhe duart, ose, nëse janë gra, për shembull, urdhëron të i qethin me makinë qethjeje. Ai mund të bëjë gjithçka. Mund të zgjohet një mëngjes dhe gati të nisë një luftë me NATO-n, që katër persona të humbin jetën në atë aventurë, të bëjë një bisedë të shkurtër me prokurorin pas tre ditësh dhe të jetë sërish njëri i lirë pas 24 orësh. Ndërsa ndërkohë, lista e rivalëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të vdekur po bëhet gjithnjë e më e gjatë. Rivalët vdisnin më së shpeshti dhunshëm, para shtëpive të tyre dhe vendeve të punës, nga plumbat, në sy të fëmijëve dhe miqve, kryesisht në rrethana të paqarta. Nga ana tjetër, bashkëpunëtorët kanë vdekur në rrugë, në burgje, në pyje dhe në disa raste arsyeja zyrtare e vdekjes së personave të të dyja kategorive ka qenë vetëvrasja.

47,6 milionë euro neto fitime i kanë sjellë Millan Radoiçiqit, Zvonko dhe Zhelko Veselinoviqit për vetëm dy vjet kompanitë e kontrolluara nga tre biznesmenë me origjinë nga veriu i Kosovës, duke punuar kryesisht në projekte shtetërore

Qoftë për shkak të natyrës së punës, tipareve personale ose rrethanave të ndryshueshme, linja ndarëse ndërmjet bashkëpunëtorëve dhe rivalëve të tij shpesh ishte fluide. Pas lajmit se kreu i qarkut të Rashkës, Nebojsha Simoviq, një ish-polic nga Prishtina, u gjet i vdekur në banesën e tij në Kralevë në prill të vitit 2023, Vellimir Illiqi publikisht shprehu dyshime për versionin zyrtar të ngjarjeve. Sipas një versioni jozyrtar, para vdekjes së tij të papritur, Simoviq u përlesh me Radoiçiqin për një projekt ndërtimi në rrugën Omladinska në Kralevë. Simoviq përndryshe ishte partner në biznes i Predrag Mikiqit, këshilltarit ekonomik të Tomisllav Nikolliqit, i cili po ashtu vdiq papritur në prill të 2017 në Beograd.

Punë ortakërie

Posterët në të cilët Radoiçiq quhet terrorist dhe vrasës së fundmi mund të shiheshin kudo në veri të Kosovës, madje edhe ngjitur në ambientet e Listës Serbe. Ndonëse nuk mund të quhet ndryshe përveç terrorit ajo që kanë kaluar qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës në dhjetë vitet e fundit, termi terrorizëm, të paktën deri më tani, në diskursin e qytetarëve serbë të Kosovës ishte gjithmonë i rezervuar vetëm për ish-UÇK-në. Prandaj, ky është një sinjal i rëndësishëm për komunitetin lokal se Radoiçiqi nuk e menaxhon më situatën në atë territor dhe se ndoshta ka përfunduar angazhimi i njeriut që pyetej për gjithçka në veri të Kosovës, porse llogaritë e tij me autoritetet në Serbi ende janë të pastra.

Zvonko Veselinoviq - Millan Radoiçiq - Foto: REL
Zvonko Veselinoviq – Millan Radoiçiq – Foto: REL

Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja e nervozizmit të presidentit Vuçiq, i cili në një nga fjalimet e tij të shumta, “për t’ia bërë të qartë njerëzve”, përmendi Banjskën si një nga metodat e presionit ndaj shtetit – pra ndaj tij, me vërejtjen ironike se për disa, ja “është më e rëndësishme që dikush i ka rënë shuplakë dikujt”. Në ndërkohë, Prishtina kreu një hetim dhe rezultatet ua dërgoi të gjitha ambasadave të BE-së. Sipas raportit preliminar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ekspedita në Banjska ka nisur nga Vërnjaçka Banja, më saktë pas stërvitjes së grupit në poligonin në Mitrovo Pole, rreth njëzet kilometra larg, në bjeshkën e Goçit.

Pas luftës në Kosovë, në të cilën mori pjesë si rezervist, Radoiçiq u shpërngul nga Gjakova në Vërnjaçka Banjë, ku qëndroi deri në vitin 2004, kur për shkak të fletarrestimit për pjesëmarrje në kidnapimin e biznesmenit maqedonas Salij Mitat, strehohet në Mitrovicë në Kosovë. Njohja me Veselinoviqin shumë shpejt shndërrohet në kumbari dhe falë njohurive solide të gjuhës shqipe, Radoiçiq bëhet njeriu i parë në grupin e Veselinoviqit për bashkëpunim me ish kundërshtarët në jug të Ibrit, gjë që sjell fitime të mëdha. Ata ndërtuan hotelin Grey në Kopaonik dhe restorantin me të njëjtin emër në Mitrovicë, si një qendër e re, alternative e pushtetit ku merren të gjitha vendimet.

“Vërnjaçka Banja është sot vend kryesor për pastrimin e parave. Vilat e vjetra të qytetit po rrënohen dhe po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe me apartamente për pronarët e rinj, ndërsa një pjesë e madhe e pronësisë është e fshehur”, thotë Rade Pejoviq nga Lëvizja Kombëtare e Serbisë për Radarin. Sipas tij, Zvonko Veselinoviqi dhe Radoiçiqi shpesh shihen në Vërnjaçka Banjë si vizitorë të objekteve luksoze, siç është hoteli Fontana në pronësi të Dragolub Zbiliq, një biznesmen i afërt me PPS-në.

Asgjë në thelb nuk do të ndryshojë fakti se që nga 6 tetori Radoiçiqi nuk është më zyrtarisht një nga bashkëpronarët e disa ndërmarrjeve, sepse pjesën e tij në to ua ka transferuar vëllezërve Zvonko dhe Zhelko Veselinoviq, por nuk ka dyshim se ata do të dinë të ndajnë fitimet, sikur të mos kishte ndryshuar hiq struktura pronësore.

Sipas raporteve të Ministrisë së Kosovës, përgatitja e grupit që mori pjesë në përleshjet në Banjskë është bërë në objektin policor në Mitrovo Pole afër Vërnjaçka Banjës dhe në kazermën në Rashkë. Ambasadori amerikan Kristofer Hill vizitoi Mitrovo Pole i shoqëruar nga Ministri i Policisë Bratisllav Gashiq më 4 tetor (2023), dhjetë ditë pas konfliktit. Arsyeja e vizitës në mediat proqeveritare u interpretua si donacion për këtë qendër. Kur të nesërmen Hilli, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, vizituan me helikopter kazermën në Rashkë, nuk u fol më për donacione dhe mediat e regjimit e shpërfillën ngjarjen.

Qendra mësimore në Mitrovo Pole, e cila përbëhet nga disa baraka, liqeni akumulues në lumin Zagërzh, një poligon për stërvitje dhe objekte akomoduese në pronësi të MPB-së të Serbisë, sot duket e shkretë, sikur aty për momentin nuk ka njeri. Me donacionet e mëhershme të SHBA-së ishte mundësuar trajnimi i policëve për zbulimin e laboratorëve të paligjshme të kanabisit. Qendra mund të arrihet pas një udhëtimi tridhjetë minutash, përgjatë rrugës së ngushtë nga Vërnjaçka Banja në Goç. Asnjë nga banorët lokal dhe punëtorët e restorantit në afërsi nuk ishte i gatshëm të flasë për aktivitetet në këtë objekt policor.

E në pritje të reagimit të organeve kompetente, të cilët do të duhej të përcaktonin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në Banjskë më 24 shtator, po bëhet gjithnjë e më e qartë se bëhet fjalë për një përleshje mes forcave speciale të trajnuara të Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur personash të uniformuar, të udhëhequr nga një njeri i bindur se nga pasuria dhe luksi i paparë mund të shkosh në luftë – në fundjavë. Dhe që pas konfliktit ku humbën jetën katër persona, mund të vazhdohet me të njëjtin avaz./ Radar.nova.rs (Shënim: Fotografitë janë vendosur nga KALLXO.com, përveç njërës brenda tekstit).

Të premten, në mediat serbe është publikuar një reagim i kompanisë “Rad 028” në të cilin ajo ka thënë se hedh poshtë pretendimet e mediave për punë jotransparente duke i gjykuar këto raportime si “tendencioze dhe dashakëqija” ndërsa ka thënë se “sulmet e tilla, si kompani nga Kosova, në fakt i bëjnë dëm Serbisë dhe serbëve të Kosovës”.
Kompania ka thënë se fondet e nuk janë të destinuara për “blerje të paspecifikuara dhe as për heshtjen e dikujt, por për ndihmë dhe mbështetje të popullit serb serbëve në Kosovë”.

Shënim: Artikullit i është shtuar reagimi i kompanisë “Rad 028” i publikuar në mediat serbe. Koha e editimit 23:23 – 15.03.2024.

Artikulli origjinal është publikuar në median serbe Radar.

Autori Millan Radonjiq është gazetar në medin Radar.