Foshnja e parë e 2024 në Kosovë, Kurti viziton QKUK-në

5 minuta pas ndërrimit të motmoteve ka lindur foshnja e parë e vitit 2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kryeministri, Albin Kurti vizitoi Klinikën e Gjinekologjisë dhe dy nënat që lindën njëra 5 minuta para mesnatës, e tjetra 5 minuta pas mesnatës.

Në këtë vizitë, ai u shoqërua nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Rajana, vajza e Mjellmës, lindi pesë minuta para mesnatës, ndërkaq Naroni, djali i Aurelës, lindi pesë minuta pas mesnatës. Të dy foshnjet sikurse të dyja nënat janë shëndosh e mirë; urojmë që kështu të jenë përherë dhe me jetë të gjatë!” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai falënderoi Drejtorin e Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj dhe gjithë personelin për sic tha angazhimin e pakursyer dhe mikpritjen e përzemërt.

“Në çdo institucion shtetëror sonte kemi zyrtarët kujdestarë të cilët punojnë që ne të tjerët të mund të festojmë” – ka shtuar Kurti.

Kryeministri foli edhe për renovimin në Gjinekologji, që tha se do të ofrojë kushte dinjitoze dhe mjedise moderne.

“Ministria e Shëndetësisë po e renovon tërësisht Repartin e Gjinekologjisë përmes investimit në vlerë dy milionë e gjysmë euro. Në këtë vit edhe repartet tjera do ta kenë të njëjtin fat sepse shëndetësia është prioritet i yni” – ka shkruar Kryeministri Kurti.