Formimi i Qeverisë së re, Protokolli i Shtetit fillon përgatitjet

Zyra e Protokollit të Shtetit ka filluar përgatitjet e saj me rastin e formimit të Qeverisë së re.

Drejtori i Protokollit të Shtetit në MPJ, Orhan Hajrizi, ka treguar për KALLXO.com se Protokolli është duke i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe kjo gjë do të behët sipas legjislacionit në fuqi.

“Protokolli i Shtetit është duke  ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe veprimet sipas legjislacionit në fuqi për inaugurimin e Qeverisë së re”, ka thënë Hajrizi.

Sot, kur pritet të votohet Qeveria e re në Kuvendin e Kosovës, me kryeministër Albin Kurti, ky i fundit duhet që të takojë kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj për të bërë pranim-dorëzimin e postit të kryeministrit.

Në anën tjetër, Ligji për Protokollin e Shtetit, neni 28 ku tregohet për Betimin e Qeverisë thotë se ceremonia e betimit të Qeverisë së re zhvillohet në Kuvend, ku përveç deputetëve marrin pjesë trupi diplomatik i akredituar në Kosovë, përfaqësues të shquar, kryetarët e Bashkësisë Fetare.

Po ashtu, sipas këtij ligji, ceremoninë e betimit e hapë kryetari i Kuvendit në prezencën e presidentit të Kosovës.

Pas betimit, Qeveria e re mblidhet në selinë e kryeministrisë në takimin e parë inagurativ dhe kryeministri përshëndet çdo ministër  për fillimin me suksese të detyrës.

Ligji për Protokoll po ashtu thotë se me rastin e fillimit të detyrës, kryeministri jep në një nga selitë qeveritare një pritje për Misionin Diplomatik, ftohet të gjitha shefat e përfaqësive të akredituara më Kosovës dhe lista përpilohet nga zyra e Kryeministrit.

Organizimi i gjithë këtij aktiviteti bëhet nga Protokolli i Shtetit.

Për më pak se 2 orë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të votuar të nominuarin për kryeministër Albin Kurtin dhe kabinetin e tij.

Deri te kjo ditë, kanë kaluar gati 4 muaj prej zgjedhjeve e me dhjetëra takime e negociata mes partnerëve të ri qeverisës, LVV e LDK. Këto dy parti, së bashku numërojnë 57 vota, derisa minimum i kërkuar është 61.

Mirëpo, palët ditëve të kaluara kanë negociuar edhe me deputetët e minoriteteve, ku kanë kërkuar besimin e tyre për të qeverisur me vendin.