Parada e Krenarisë - Foto: REL

Vuçiq anulon Paradën e Krenarisë në Beograd

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka anuluar ngjarjen ndërkombëtare të EuroPride që ishte planifikuar të mbahej në Beograd nga 12-18 shtatori, ndërsa organizatorët e ngjarjes janë zotuar se do të vazhdojë siç është planifikuar.

Në një konferencë shtypi më 27 gusht në Beograd, Vuçiq pranoi se të drejtat e pakicave seksuale janë kërcënuar në Serbi, por tha se qeveria kishte rënë nën presion të madh nga grupet e krahut të djathtë dhe përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe për të anuluar veprimtarinë.

“Nuk është në pyetje nëse (këto presione) janë më të forta,” tha Vuçiq. “Eshtë vetëm se në një moment nuk mund të arrish gjithçka dhe kaq.”

Vuçiq lejoi mundësinë që ngjarja të mbahet në një datë të mëvonshme.

EuroPride promovon krenarinë lezbike, gej, biseksuale, transgjinore dhe interseks në nivel pan-evropian dhe është mbajtur nga një qytet i ndryshëm evropian çdo vit. Ngjarja përfshin një Paradë Krenarie.

Kristine Garina, presidente e Shoqatës Evropiane të Organizatorëve të Krenarisë që licencon EuroPride, tha se ngjarja nuk do të anulohet, pavarësisht asaj që ka thënë Vuçiq.

“E drejta për të mbajtur paradën është vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për të qenë një e drejtë themelore e njeriut,” tha Garina, duke shtuar se çdo ndalim do të shkelte Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“EuroPride në Beograd nuk do të anulohet dhe do të mbledhë së bashku mijëra LGBTI+ njerëz nga e gjithë Evropa”-ka thënë ajo./REL.

Përgatiti: Arjana Berisha