Foto: KALLXO.com

Kurti: Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në parlament

Bashkë me personalitete të tjera politike, përfaqësues të organizatave civile, aktivistë për të drejtat e njeriut e qytetarë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marshuar sot në rresht të parë në Paradën e Krenarisë në Prishtinë.

Në fund, kryeministri ka dhënë edhe një deklaratë për media  në lidhje me Kodin Civil.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në parlament” – theksoi kryeministri Kurti.

Ai foli edhe për pjesëmarrjen e tij në Paradën e Krenarisë. Kryeministri theksoi se aty ku bëhet thirrje për liri dhe barazi është edhe ai.

“Iu kam premtuar aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave që do të marr pjesë në marshin e sotëm, në Marshin e Krenarisë, sepse besoj në të drejtat e njeriut, besoj se duhet të jemi që të gjithë të barabartë dhe secili duhet të ketë të garantuar, të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin” – deklaroi Kurti.

Kurti bëri thirrje që komuniteti LGBTQI+ të mbrohet dhe të mësohet për ta në Kosovë.

“Shteti dhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe të mësojë për ta. Shpreh indinjatën time për numër të madh të abuzimeve, kërcënimeve dhe të diskriminimeve që përjetojnë ky komunitet” – përfundoi Kurti.

Kodi Civil ka qenë i pari në listën projektligjeve që Ministria e Drejtësisë ka vendosur si synim t’i miratojë këtë vit.

Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 16 mars 2022. Në mesin e 29 deputetëve që votuan kundër, 14 ishin nga Vetëvendosja.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Sipas Projektkodit Civil, në kapitullin II, saktësisht neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.

“Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile”, thuhet në Projektkod.

Ndërkaq, për personat me sekse të njëjta thuhet se bashkësitë e regjistruara civile mes tyre janë të lejuara.

“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, shpjegohet në Projektkod.