Figurat ikonike i kthehen Mitrovicës në murale

Figurat ikonike të sportit dhe kulturës kanë zënë vend në muralet e palestës ‘Minatori’ në Mitrovicën e Jugut.

Në hapësirat e pamirëmbajtura të qytetit, organizata joqeveritare “Futja Ngjyrë” kanë shkrirë talentin e tyre duke pikturuar në murale këta artistë.

Adem Mikullovci, Fatime Xhaka, Basri Tupella, Ahmet Behrami, Haki Misini, Lah Nimani, Riza Lushta, Xhevat Qena e Jakup Ceraja, janë figurat që i kanë dhënë ngjyrë qytetit të Mitrovicës së Jugut.

“Kemi fillu prej 2015-tës. Kemi kërku hapësira që janë të lëna pas dore, hapësira të bukura që janë dukur jo mirë vetëm sepse nuk ka pasë ndonjë vizatim në to”- ka thënë drejtori i organizatës, Bardhyl Dobroshi.

Tutje ai shtoi se kritikat dhe sugjerimet për pikturimin e këtyre muraleve kanë qenë të mirëpritura.

“Familjarët e disa prej ikonave të Mitrovicës e kanë prit shumë mirë. Diçka që na është dukur më interesant ka qenë që kalojshin shoqëria e këtyre në rrugë dhe mujshin me i pa prej së largu muralet që i kemi bo ‘kqyre prej qësaj pjese deri qëtu ia ke përngja si me kon i gjallë, ndërsa pjesën tjetër rregulloje pak'”- kështu shpreheshin familjarët dhe shoqëria e artistëve sipas Dobroshit.

Ndërsa Dea Gaxha thotë se opinioni do të kenë mundësi të shohin biografinë për secilin artist.

“QR CODE do të integrohet në secilën prej tyre dhe kur vijnë njerëzit dhe e skenojnë kanë me e pasë në shqip dhe anglisht se kush ka qenë ky personalitet, çka ka bërë dhe rëndësinë që e ka për neve si shoqëri. Kanë me i bo disa linqe që me i qit punët e artistëve p.sh. nëse flasim për Haki Misinin kena me e qit një këngë ose dy këngë të tij”- ka thënë Gaxha.

Ideja e kahmotshme për këtë projekt sipas saj pritet të pasqyrohet edhe në qytete tjera të Kosovës.

“Kemi fillu me Muharrem Qenën para disa vitesh. E kemi pa çfarë impakti ka pasë. Kështu që kemi vendos t’i bëjmë edhe personalitet e tjera që njihen në Mitrovicë dhe jo vetëm. Vizitorët që vijnë me vizitu palestrën çdo të diel me i pa se kush janë figurat e Mitrovicës ata me u ndi mirë që kanë ardhë në këtë vend. Fokusi në fillim është në Mitrovicë pasi që oirganizata është e bazume në Mitrovicë. Jemi t`u mendu që në qytetet tjera të Kosovës me i bo një ose dy murale”- përfundoi ajo.

Ndryshe, projekti është finalizuar në bashkëpunim me Reload 2 e cila është e financuar nga Bashkimi Evropian dhe është implementuar nga UNDP-së në Kosovë.