Ferizaj, Policia ua heq patentë-shoferin tre personave që vozitën nën ndikimin e alkoolit

Policia e Kosovës mbrëmë në Ferizaj ka gjobitur dhe ua ka hequr patentë-shoferin tre shoferëve, të cilët janë kapur duke vozitur nën ndikimin e alkoolit.

Sipas njoftimit të Policisë, në mes të datave 8 dhe 9 mars, në rrugët ‘Brahim Ademi’ dhe ‘Driton Islami’ në Ferizaj ka ndaluar tre shoferë të cilët kanë shkaktuar kundërvajtje ‘Përdorim i alkoolit gjatë ngasjes dhe tejkalim i shpejtësisë’.

Ndaj shoferit me inicialet B.A., i moshës 28-vjeçare është shqiptuar gjobë 500 euro, 3 pikë negative dhe heqje e patentë-shoferit për 1 vit. Ndaj shoferit tjetër me inicialet D.L., i moshës 32-vjeçare është shqiptuar gjobë 200 euro, 2 pikë negative dhe 6 muaj heqje e patentë-shoferit.

Ndërsa ndaj shoferit të tretë me inicialet E.S., i moshës 28-vjeçare, Policia ka shqiptuar gjobë 500 euro, 5 pikë negative dhe 1 vit heqje e pantentë-shoferit.

“Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë ligjin e komunikacionit rrugor, të mos drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit dhe të respektojnë kufizimin e shpejtësinë e lëvizjes”, ka bërë apel Policia e Kosovës.