Gabriel Escobar

Escobar: Dialogu Kosovë- Serbi është në moment kritik, por mbetet i paalternativë

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, njëherësh përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi, është në një moment kritik.

Në një deklarim online para gazetarëve, Escobar tha se po luftojnë që t’i rikthejnë në rrugën e duhur marrëveshjet e dakorduara në Bruksel dhe Ohër, që njihen ndryshe si Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksi zbatues.

“Jemi në një moment kritik dhe më duhet të them se ne po luftojmë për të rikthyer në rrugën e duhur marrëveshjet, si atë të Brukselit ashtu edhe Ohrit. Më duhet të them se nga perspektiva amerikane nuk ka alternativë tjetër përvec dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Dialogu ka qenë mekanizmi që ka zgjidhur shumë sfida në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën dhe Serbinë, dhe vazhdon të jetë mekanizmi primar për zgjidhjen e këtyre dallimeve”- ka deklaruar Escobar.

Ai u ka bërë thirrje palëve që të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha marrëshjet që janë arritur.

“U bëj thirrje të dyja palëve të respektojnë marrëveshjet që janë arritur, t’i implementojnë të gjitha marrëveshjet- në veçanti ato që janë nënvizuar në Ohër dhe të tregojnë vullnet të mirë. Kjo është një ndër arsyet e vizitës sime në Kosovë”- ka theksuar ai.

Escobar do të vizitojë Kosovën brenda kësaj jave për të folur për dinarin dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Escobar thuhet se pritet të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Për dinarin e dialogun, Escobar viziton Kosovën këtë javë