Për dinarin e dialogun, Escobar viziton Kosovën këtë javë

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësuesi Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, do të vizitojë Kosovën brenda kësaj jave, për të folur për dinarin dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Escobar thuhet se pritet të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Këtë vizitë Escobar do ta bëjë në kuadër të udhëtimit të tij edhe në Austri, Belgjikë e Mal të Zi nga 10 deri më 18.03.2024.

“Vizita e tij do të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërsa ata ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal”- njofton Departamenti i Shtetit.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) më 27.02.2024  kishte zhvilluar takim edhe me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.

BQK lajmëroi që në këtë takim trepalësh, brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura prej saj si dhe argumentoi mundësitë dhe lehtësitë e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese.

Pas takimit në Bruksel të delegacioneve nga Kosova dhe Serbia lidhur me çështjen e dinarit, Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar që diskutimet mes palëve të vazhdojnë me urgjencë.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- thanë nga Departmenti i Shtetit për KALLXO.com. 

DASH ka mirëpritur bisedimet u zhvilluan më 27.02.2024 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë dhe rrjedhimisht e kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Se a vazhdon edhe më tej të jetë i rrezikuar partneriteti Kosovë- SHBA, nga Departamenti Amerikan i Shtetit thonë se “deklaratat tona publike kanë qenë mjaft të qarta për drejtimin e marrëdhënieve tona diplomatike dhe politike”.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjet si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë që të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht në përpjekjet për të arritur marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.

“Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-ja”.

Kështu e konsideroj dhe kështu bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Ne jemi një Republikë demokratike dhe Qeveria nuk imponohet mbi institucionet e pavarura shtetërore si Banka Qendrore”, tha Kurti më 14.02.2024 gjatë një vizite në

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar ftesën për të shkuar në Bruksel, pasi nuk ishte që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut.