Foto: KALLXO.com

Elaborohet ekspertiza financiare në rastin ku Ilir Baldedaj akuzohet për moskthimin e laptopëve të Komunës

Në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj, nga eksperti financiar Vehbi Imeri është elaboruar ekspertiza.

Në këtë proces, Baldedaj akuzohet se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Eksperti Imeri përpara trupit gjykues deklaroi se sipas ekspertizës ka rezultuar se Komuna e Prizrenit në këtë rast nuk është dëmtuar në aspektin financiar sa i përket vlerës së laptopëve.

Sipas tij, me rastin e paraqitjes së kallëzimit penal, vlera e laptopëve ka qenë 0, sepse të njëjtit ishin zhvlerësuar në shkallën 100%.

“Kanë kaluar 4 vite të periudhës prej momentit kur janë blerë e deri në momentin e ngritjes së kallëzimit penal ku kjo llogaritje bazohet në nenin 22 të rregullores për menaxhimin e pasurisë jofinanciare”, tha Imeri.

Ai tutje shtoi se një laptop së bashku me një çantë ka pasur vlerë 450 euro, ndërkaq vlera e përgjithshme ka qenë 19,350 euro kur ishte bërë kallëzimi penal.

Ndërkaq, pas zhvlerësimit vlera ka qenë 9,675 euro në total, për çka sipas Imerit, vlera e zhvlerësimit ka qenë 50% e vlerës së shumës së përgjithshme 19,350 euro pas përfundimit të mandatit të asamblistëve.

“Për periudhën 2-vjeçare këta laptopë kanë qenë të shfrytëzuar nga asamblistët e Komunës së Prizrenit që nënkupton momentin e blerjes deri në momentin e kthimit është bërë kjo llogaritje”, tha Imeri.

Eksperti Imeri tutje konsideroi se nuk ishte çështje e tij që të përgjigjej se pasuri e kujt janë këta laptopë.

“Unë i jam referuar periudhës kohore se kur janë blerë laptopët dhe në momentin kur janë shpërndarë, por, çështja tjetër i mbetet të gjykohet se kujt i takojnë dhe nuk i takojnë, më tepër është çështje juridike”, deklaroi eksperti.

Pas kësaj, nga kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani u mor vendim që të bëhet plotësim i ekspertizës nga ku u kërkua që të jepet konstatim mbi vlerën e tregut të laptopëve sipas zhvlerësimit të tyre.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 15 prill 2022.

Ndaj Baldedajt, pas një hulumtimi të KALLXO.com, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Në këtë proces, Baldedaj akuzohet se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Tutje, sipas aktakuzës në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuronte kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas Prokurorisë, për tre laptopë të tjerë nuk pati prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Për këto akuza, ish-drejtori komunal Ilir Baldedaj më 15 janar të këtij viti ishte dënuar me burgim efektiv prej 10 muajsh.

Dënim me burg nga Gjykata e Prizrenit për zyrtarin e AAK-së

Mirëpo, Apeli më 1 maj 2021 ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe të njëjtin e ka kthyer në rigjykim.

Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e Ilir Baldedajt për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Shkalla e dytë ka konsideruar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të cilat kanë ndikuar në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.

Në vendimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit ishte i paqartë ashtu që dispozitivi i tij është në kundërshtim me arsyetimin dhe se Gjykata nuk kishte vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse duke mos dhënë arsyet e mosmiratimit të propozimeve konkrete të palëve ashtu që arsyetimi ishte i pamjaftueshëm.

Tutje sipas Apelit, në aktgjykimin e shkallës së parë, Gjykata kishte listuar provat materiale dhe personale duke u mjaftuar me një arsyetim të mangët pa dhënë arsyet se secila provë e administruar se çka provon si e vetme dhe pastaj të gjitha këto prova çfarë gjendje faktike të tërësishme japin.

Baldedaj, për këto akuza më 10 korrik 2020, ishte deklaruar i pafajshëm.

Ish-drejtori i Komunës, tash asamblist nuk e pranon fajësinë për laptopët e pakthyer

“Jo, kurrsesi nuk jam fajtor”, ka deklaruar Baldedaj.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin në fjalë mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.