Foto: Ilir Baldedaj/Facebook

Dënim me burg nga Gjykata e Prizrenit për zyrtarin e AAK-së

Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, i cili po ngarkohet për akuzat rreth moskthimit të laptopëve të komunës në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës, ka marrë një verdikt përfundimtar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani.

Ilir Baldedaj, që sot mbanë postin e asamblistit nga radhët e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, e që po akuzohet për kohën sa mbante postin e Drejtorit të Administratës nën qeverisjen e Ramadan Mujës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare është dënuar me burgim efektiv prej 10 muajve.

Poashtu, Baldedaj është obliguar të paguaj shumën prej 100 euro në emër të paushallit gjyqësor, ndërsa 50 euro në emër të viktimave të krimit.

Nga sasia totale prej 43 laptopësh, 40 prej tyre i ishin shpërndarë asamblistëve të Komunës së Prizrenit në qeverisjen e kaluar, e njohur si qeverisja Muja 2.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Baldedaj, avokati Visar Haxhibeqiri ka dorëzuar me shkrim fjalën e tij përfundimtare.

Edhe prokurorja e rastit, Ervehe Gashi kishte përgatitur me shkrim fjalën e saj përfundimtare dhe të njëjtën ia kishte dorëzuar gjykatës që të jetë pjesë e shkresave të lëndes.

Ndërsa, data 15 janar është caktuar për shpalljen e aktgjykimit nga gjyqtari Xheladin Osmani.

Baldedaj, kishte mohuar akuzën e Prokurorisë.

Prokuroria në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj një ish-zyrtarit të lartë të komunës së Prizrenit, pas një hulumtimi të KALLXO.com në shkurt të këtij viti se si asamblistët e mandatit të kaluar nuk i kanë kthyer laptopët pas përfundimit të mandatit.

Hulumtimi tregonte se kjo përbënte shkelje ligjore sipas rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Prokurorisë në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Pos 40 laptopëve të pakthyer, Prokuroria e Prizrenit pretendon se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

Tetë prova materiale dhe 40 vërtetime mbi pranimin e laptopëve i kishte propozuar prokurorja Ervehe Gashi në aktakuzën ndaj asamblistit të Asamblesë së Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Prek fundin gjykimi i asamblistit për laptopët e Komunës së Prizrenit

Në fillim të procedurës, gjyqtari Xheladin Osmani, e kishte hedhur poshtë akuzën në mungesë të provave.