Ish-drejtori i Komunës, tash asamblist nuk e pranon fajësinë për laptopët e pakthyer
Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, ka dalë para gjykatës për t’u përgjigjur për akuzat rreth moskthimit të laptopëve të komunës në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.
Ilir Baldedaj, që sot mban postin e asamblistit nga radhët e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, akuzohet për kohën sa mbante postin e Drejtorit të Administratës nën qeverisjen e Ramadan Mujës.
Baldedaj mohoi akuzat e Prokurorisë në Prizren për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare “jo kurrsesi nuk jam fajtor tha ai”.
Nga sasia totale prej 43 laptopësh, 40 prej tyre i ishin shpërndarë asamblistëve të Komunës së Prizrenit në qeverisjen e kaluar, e njohur si qeverisja Muja 2.
Seanca filloi me vonesë, pasi që fillimisht kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani me të hyrë në sallë, pa që aty mungonin disa nga palët duke filluar nga i akuzuari Baldedaj, që erdhi me vonesë e pastaj edhe përfaqësuesi i Komunës për disa minuta ishte larguar nga salla.
Kur gjyqtari Xheladin Osmani i mblodhi të gjithë palët në sallë, dhe filloi gjykimi para trupit gjykues janë dëgjuar dy dëshmitarë, Idaim Kryeziu dhe Adnan Kurejeshi.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Kryeziu deklaroi se roli i Komisionit për shpërndarjen e laptopëve në Prizren ka qenë shpërndarja e laptopëve nga Zyra e IT-së së Komunës për asamblistët komunal.
Në vazhdim, ai tha se nuk e di sa ka qenë numri i laptopëve të pranuar nga Zyra e IT-së, ndërsa 40 laptopë u janë dorëzuar asamblistëve të Komunës së Prizrenit.
Në fund, ai tregoi se i akuzuari Ilir Baldedaj, gjatë kohës sa ishte Drejtor i Administratës, nuk ka qenë anëtar i Komisionit për shpërndarjen e laptopëve në Komunën e Prizrenit.
Tutje, dëshmitari Adnan Kurejeshi deklaroi se bashkë me deputetin Kujtim Gashi dhe dëshmitarin Idaim Kryeziu, gjatë vitit 2015 kanë qenë anëtarë të Komisionit për shpërndarjen e laptopëve ndaj asamblistëve të Komunës së Prizrenit.
Ai sqaroi se detyra e tij si anëtar i këtij Komisioni ka qenë kontrollimi i çdo laptopi, përkatësisht aftësimi i tyre për përdorim, duke instaluar programet e nevojshme për përdorim, ndërsa ka thënë se i ka të gjitha dëshmitë dhe provat për pranim dorëzimin e 40 laptopëve, dhe këto prova i ka dorëzuar në Prokurori.
E dëshmitë e dëshmitarëve dhe propozimet e avokatit të tij, dukej se nuk i bënin fort përshtypje të akuzuarit Ilir Baldedaj, i cili gjatë seancë gjyqësore në disa raste përdorte telefonin.
Kjo kaloi pa u vërejtur nga trupit gjykues, dhe pa vërejtje ndaj tij.
Në fund trupi gjykues vendosi që të shtyjë shqyrtimin gjyqësor në afat të pacaktuar, shkaku i kushteve të krijuara nga pandemia COVID-19.
Prokuroria në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj një ish-zyrtarit të lartë të komunës së Prizrenit, pas një hulumtimi të KALLXO.com në shkurt të këtij viti se si asamblistët e mandatit të kaluar nuk i kanë kthyer laptopët pas përfundimit të mandatit.
Hulumtimi tregonte se kjo përbënte shkelje ligjore sipas rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Prokurorisë në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.
Pos 40 laptopëve të pakthyer, Prokuroria e Prizrenit pretendon se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.
Tetë prova materiale dhe 40 vërtetime mbi pranimin e laptopëve i kishte propozuar prokurorja Ervehe Gashi në aktakuzën ndaj asamblistit të Asamblesë së Prizrenit, Ilir Baldedaj.
Pas ankesës së Prokurores së rastit Ervehe Gashi, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje, dhe për herën e dytë gjyqtari Xheladin Osmani kishte vërtetuar aktakuzën, për të filluar shqyrtimin kryesor të rastit.