Çfarë deklaroi mbrojtësi i Trim Barakut para gjykatësit?

Për rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë më 22 nëntor, u deklarua edhe avokati i të dyshuarit të katërt, Trim Baraku, pronar i një argjendarie në Prishtinë.

Ilir Ramaj, ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij ngase sipas tij, Trim Baraku kishte të bënte me veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe jo grabitjes.

Ai mes tjerash ka kundërshtuar edhe pretendimin e Prokurorisë se Trim Baraku ka identitet të dyfishtë.

Prokurorja e rastit, deklaroi se i dyshuari Baraku rezulton dhe figuron edhe me një emër tjetër si shtetas i Shqipërisë,  dhe se kjo sipas Prokurorisë do të thotë se ai ka edhe një identitet tjetër.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me një identitet tjetër, por me një shtetësi tjetër që është shtetas i shqipërisë. Po ashtu ne kemi një kërkesë sa për sy e faqe dhe pa argumente duke mos u mbështetur në prova konkrete”- tha avokati Ramaj.

Sipas mbrojtësit sot gjatë ditës për herë të dytë i ishte bastisur dyqani i tij por aty janë gjetur vetëm bizhuteri dhe stoli argjendi. Avokati ka thënë se i mbrojturi i tij nuk mund të implikohet në këtë rast pasi nuk ka asnjë ndërlidhje me këtë rast.

Më 22 nëntor 2023 ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic.

Për zbulimin e autorëve të grabitjes Policia zhvilloi dje një aksion në tri lokacione, në; Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevën .Nga ky aksion policor, një polic mbeti i lënduar, e që gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, përderisa njëri nga të dyshuarit u neutralizua gjatë zhvillimit të aksionit policor, ndërsa disa të dyshuar u arrestuan.

Katër të pandehurit Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku të premten kanë dalë para Gjykatës së prizrenit. Ndaj tyre është zhvilluar seanca për caktimin e masës së sigurisë.

Gjykata ndaj të njëjtëve ka caktuar një muaj paraburgim.

Sipas Prokurorisë të pandehurit Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku  më datë 22 nëntor, në ora 15:45 min në qytetin e Suharekës, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B:, me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë në atë mënyrë që të pandehurit  Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi, Trim Baraku dhe  Korab Gashi që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe.

Tutje thuhet se ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit Bujar Basha, Besart Istrefi  dhe Leutrim Cakolli arrestohen nga Policia.

I pandehuri, Trim Baraku  më datë 30 nëntor,2023 në Prishtinë, pikërisht në shtëpinë familjare të të pandehurit gjatë bastisjes së shtëpisë nga ana e Policisë, me urdhër së procedurës paraprake Policia ka gjetur një (1) revole Zorki, ngjyrë e zezë modeli M-906-T 9mm, dhe një fishek kalibri 7.62 X 39mm dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.6mm dhe BS end B, të cilën i pandehuri e ka mbajtur në pronësi dhe në posedim, në kundërshtim me Ligjin për armët.