Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët që i kanë marrë në shfrytëzim në mandatin e kaluar.

Ata obligohen t’i kthejnë asetet komunale, të blera nga taksapaguesit e Prizrenit. Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit që kur ka përfunduar mandati i asamblistëve, asnjë nga ta nuk i ka kthyer laptopët.

Në Komunën e Prizrenit thonë se janë shpërndarë 43 laptopë. 40 prej tyre i janë dhënë kuvendarëve. Tre laptopë të tjerë, Komuna thotë se nuk ka informacione se kujt i janë ndarë, pasi nuk ka asnjë dokument që e dëshmon pranimin e tyre.

Rregullorja me numër 02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, thotë se të gjitha pajisjet në përfundim të mandatit i takojnë organizatës buxhetore.

“Mënyra e ngarkimit dhe shkarkimit të zyrtarëve për menaxhim dhe përdorim të pasurisë jo financiare duhet të jetë përcaktuar në mënyrë të qartë me rregulla dhe procedura të brendshme të aprovuara nga zyrtari kryesor administrativ i organizatës buxhetore”, thuhet në nenin katër të kësaj Rregulloreje.

Gjithashtu, në nenin tre të saj, në pikën tre thuhet se të gjitha pasuritë jofinanciare materiale dhe jomateriale i takojnë organizatës buxhetore, në këtë rast Komuna e Prizrenit.

“Pasuri jokapitale – nënkupton të gjitha pasuritë jofinanciare materiale dhe jomateriale: (a) që kanë afat të përdorimit më shumë se një vit: (b) që kanë vlerë financiare më pak se 1.000 €: dhe (c) pronësia dhe kontrolli i përfitimeve mbetet te organizata buxhetore”, thuhet në këtë nen.

Çmimi i kontratës për blerjen e laptopëve nga Komuna e Prizrenit kap vlerën prej 19 mijë e 350 euro dhe kjo kontratë është nënshkruar me 8 shtator të vitit 2015.

Sipas kësaj kontrate, Komuna e Prizrenit ka blerë 43 laptopë në vlerë prej 18 mijë e 490 euro si dhe 43 çanta për laptopë në vlerë prej 860 eurosh.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me disa asamblistë. Përkundër që kanë shërbyer si asamblistë, e disa prej tyre janë edhe deputetë dhe ministra, ata nuk i dinë obligimet e tyre ndaj pajisjeve që janë blerë me para të taksapaguesve, e as me Rregulloren e Qeverisë së Kosovës.

Zyrtari për media në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se asnjëri nga laptopët e marrë nga asamblistët e mandatit të kaluar nuk i kanë kthyer këto pajisje.

Ai thotë se Komuna e Prizrenit i ka dokumentet e pranimit të laptopëve vetëm për 40 asamblistë. Por, ai ka thënë se Komuna e Prizrenit nuk ka informacione se kush i ka pranuar 3 laptopë të tjerë.

“Fatkeqësisht, për tre laptopë të tjerë deri më tani nuk kemi mundur të gjejmë ndonjë dokument që dëshmon se kujt i janë dorëzuar. Këta 40 laptopë u janë dorëzuar ish-kuvendarëve nëpërmjet Departamentit të IT-së, ndërsa të tjerat nuk kemi informacion se nëpërmjet kujt dhe ku kanë shkuar. Në rast se do të sigurojmë në ndërkohë ndonjë dokument edhe për to, do t’ju dërgojmë. Përndryshe, asnjë laptop nga kjo kontratë deri më tani nuk i është kthyer Komunës”, ka treguar Dorambari.

Gazeta JnK ka kontaktuar me drejtorin e administratës së kaluar, Ilir Baldedaj, rreth mungesës së dokumentacionit për pranimin e tre laptopëve të tjerë.

Ai ka deklaruar se “drejtori nuk merret me punë teknike”.

JnK ka kontaktuar edhe me drejtorin e administratës së Prizreni, Osman Hajdari, rreth çështjes së moskthimit të laptopëve dhe mungesë së dokumentacionit për tre të tjerë.

Ai ka thënë se nuk kanë bërë asnjëherë kërkesë që ato pajisje të kthehen në Komunë.

“Sipas kontratës Komuna e Prizrenit ka pranuar 43 laptopë! Ne kemi arritur t’i sigurojmë vetëm 40 njoftime për pranimin e këtyre laptopëve nga 40 kuvendarë të mandatit të kaluar! Tre të tjerë nuk kemi arritur ti sigurojmë dëshmitë se ku ndodhen”, ka konfirmuar për Gazetën JnK, Hajdari.

E Komuna qe qeveriset nga Mytaher Haskuka nuk e ka parë të arsyeshme të zbatojë një vendim qeveritar që thotë që pajisjet duhet të kthehen.

“Nga kuvendarët e mandatin të kaluar nuk kemi kërkuar kthimin pasi ka nga ata të cilët thonë se ato më nuk janë funksional dhe nuk e kemi parë të arsyeshme me kërkuar kthimin e tyre”, ka deklaruar Hajdari.

Tutje ai ka treguar se të gjitha pajisjet e blera me këtë kontratë nuk janë inventarizuar dhe nuk janë menaxhuar sipas rregullores MF 02/2013, por janë regjistruar në Regjistrin e përgjithshëm  të  Pasurisë në nivel Komune.

Në anën tjetër, Hajdari ka thënë se këtë vit do të fillojnë procedurat për pajisjen me laptopë për asamblistët e këtij mandati.

“Ne edhe këtë vit do të nisim procedurat për pajisje me laptopë për kuvendarët e kuvendit komunal të Prizrenit, por do të jetë e rregulluar konform legjislacionit ne fuqi”, ka thënë ai.

Ministri dhe deputeti nuk i kthejnë laptopët

JnK ka kontaktuar të asamblistët, por disa prej tyre nuk kanë qenë të gatshëm të flasin, e disa të tjerë e kanë bërë fajtor Komunën.

Kujtim Gashi ka qenë asamblist nga radhët e PDK-së. Ai ishte pajisur me laptop.

Shala është rizgjedhur edhe në këtë mandat, por ka dhënë dorëheqje meqë është ministër i Kulturës.

As ministri i Kulturës ende nuk e ka kthyer laptopin.

“Unë jam rizgjedhur prapë asamblist dhe kam ofruar dorëheqje, por nuk jam zëvendësuar për shkak se KQZ nuk e ka certifikuar ende pasuesin tim, kur kjo të ndodhë laptopin mund ta përdorë pasardhësi im, përndryshe askush nuk e ka kërkuar ta kthej përkundër që ai nuk është duke u përdorur nga unë”, ka thënë Gashi.

Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës. Edhe Rexhaj ishte pajisur me laptop në kohën kur ishte asamblist në Asamblenë e Prizrenit.

Ai e pranon që nuk e ka kthyer ende laptopin, por fajin ia lë pushteti të kaluar.

Rexhaj thotë se nga pushteti i kaluar nuk është definuar se këto pajisje a janë dhënë në shfrytëzim deri në fund të mandatit apo janë falur. Ai këtë e ka thënë përkundër që ekziston një rregullore e Qeverisë që thotë se asetet jepen në shfrytëzim dhe nuk falen.

Por, ai thotë se nëse i kërkohet është i gatshëm të kthejë laptopin.

Sehare Maliqi, ish asambliste nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në mandatin e kaluar ka thënë se nuk është njoftuar nëse laptopi duhet të kthehet përsëri në Komunë.

“Neve nuk na ka njoftuar askush nëse duhet të kthehet pajisja e marrë, laptopi, përndryshe nuk do ta mbaja në asnjë rast, jam e gatshme ta kthej menjëherë nëse Komuna ma kërkon këtë”, ka thënë Maliqi.

Getoar Besimi nga PDK ka thënë se ka pyetur në Komunë nëse duhet të kthehet në përfundim të mandatit, por i kane thënë se nuk është e nevojshme.

“Pikërisht për temën e laptopit menjëherë pas mandatit kam pyetur për ta kthyer, por nuk më kanë thënë se nuk është e nevojshme”, tha Besimi.

Ai thotë se laptopi ishte me performancë të dobët, por e ka ruajtur në sirtar.

“Deklaroj që në çdo moment shkoj e dërgoj nëse më kërkohet. Edhe pse kanë kaluar rreth 5 ose 6 vite dhe laptopi edhe atëherë kur na kanë dhuruar ka qenë me performancë të dobët e aq më pak tani në këtë kohë kur është model i vjetër dhe është zhvleftësuar pothuajse totalisht, por unë deklaroj se e kam ruajtur pa asnjë dëm, sepse e kam mbajtur vazhdimisht në sirtar”, ka thënë Besimi.

Njëjtë është deklaruar edhe Cemil Luma, ish-asamblist nga KTAP, duke thënë se është kundër uzurpimit të pasurisë komunale, porse kanë kaluar një vit që kur e ka përfunduar mandatin dhe ende nuk e ka kthyer në Komunë.

“Nuk kam ditur që duhet të kthehet laptopi në fjalë, nuk më ka thënë askush. Jam kundërshtar dhe kritikues kur uzurpohet pasuria shtetërore, do ta kthej menjëherë”, është deklaruar Luma.

Asamblistët e painformuar 

Ganimete Hoxha nga Bashkimi Demokratik ka thënë se askush nuk i ka thënë se duhet ta kthejë, ndonëse ka shtuar se pajisja nuk ka punuar asnjëherë mirë dhe ka shpenzuar më shumë në servise se sa që i është dashur për funksionim në asamble komunale.

Memnuna Ajdini nga VAKAT, po ashtu ka thënë se nuk i ka kërkuar askush kthimin e laptopit, ndërsa ka shtuar se nuk ka njohuri nëse ndonjëri prej kolegëve të saj e ka kthyer.

Farije Bytyçi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se edhe në mandatet e kaluara asamblistët janë pajisur me laptop dhe nuk i kanë kthyer, por është shprehur e gatshme se nëse i kërkohet do ta kthejë.

Njëjtë është deklaruar edhe Shukri Quni nga Partia Demokratike e Kosovës.

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Latif Dakaj ka thënë se në përfundim të mandatit nuk i është kërkuar kthimi i laptopit e në anën tjetër Haziz Hodaj nga po kjo parti ka deklaruar se është ende anëtar i Asamblesë Komunale.

Kimete Hoxha, po ashtu nga Lidhja Demokratike për Kosovën ka thënë se nëse ja kërkojnë do të ja kthejë Komunës pajisjen.

Nga radhët e PDK edhe Alush Shala ka thënë që askush nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë ndonëse është ende në Asamble Komunale.

“Nuk na është kërkuar edhe pse jam në mandatin e dytë dhe vazhdoj ta përdor si kuvendar këtë laptop, me ma kërkuar e kthej pa as një mëdyshje”, ka thënë Shala.

Njëjtë është deklaruar edhe Ermina Jonuzi nga NDS.

“Neve askush nuk na ka thënë t’i kthejmë laptopët, pasi që ata konsiderohen si material shpenzues, por nëse na kërkojnë sigurisht që do ta kthej”, ka thënë Jonuzi.

Naser Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se laptopi i është demoluar, ndërsa është shprehur i gatshëm të paguajë nëse këtë ia kërkon Komuna.

Ish-asamblisti Shani Berisha nga Bashkimi Demokratik ka deklaruar se laptopi i ka humbur në gjysmë të mandatit, gjë të cilën e ka njoftuar ish administratën.

Fatmir Kastrati, ish-asamblist nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se laptopin ia kanë vjedhur në veturë së bashku me shumë gjëra të tjerë, rast të cilin e ka paraqitur te organet kompetente të drejtësisë.

“Kur na është ndarë laptopi nuk na është thënë se të njëjtin duhet kthyer. E dyta edhe po të doja ta ktheja nuk mund ta bëjë një gjë të tillë sepse laptopin tim ma kanë vjedhur në bagazhin e makinës së bashku me gjëra të tjera. Rastin e kam paraqitur në polici dhe deri më tani rasti është i pazgjidhur”, ka thënë ai.

Ish-asamblisti nga radhët e AAK, Bujar Nerjovaj, gjithashtu është shprehur i gatshëm ta kthejë ndonëse nuk ia kanë kërkuar një gjë të tillë.

Ish asamblistët, Ajshe Shala nga AAK, Artan Abrashi nga VV, tashmë kryesues i Kuvendit Komunal në Prizren, Azzam Dida nga PD, Drita Millaku, nga VV, tash deputete e Kuvendit të Kosovës, nga VV, Kastriot Krasniqi nga PDK, Levent Bus nga KDTP, Lirija Bytyqi nga Bashkimi Demokratik, Agnesa Bytyqi nga PDK, Merxhan Osmani nga CDU, Munir Basha nga PK, Muso Salihi nga VAKAT, Mybera Mustafa nga LDK, Naser Bresa nga AKR, Naxhije Memaj nga LDK, Nexhat Bytyqi nga LDK, Gëzim Duraj nga PDK, Oruc Karadolami nga NDS, Skender Susuri nga Bashkimi Demokratik, tash drejtor i Arsimit në Komunë të Prizrenit, Saladin Xhaferi nga LDK, Salajdin Fanaj nga LDK, Sevil Kazaz nga KDTP, tash drejtoreshë e Turizmit në Komunë të Prizrenit, dhe Tasim Bajrami nga PDK, nuk janë përgjigjur ndonëse janë kontaktuar nga redaksia e JnK.

Ndërsa, në mbledhjen e parë të vitit 2019 të Asamblesë Komunale të Prizrenit, asamblistët kanë kërkuar që të pajisen me laptopë.

https://kallxo.com/asamblistet-e-prizrenit-kerkojne-laptope-te-rinj/

www.kallxo.com