Dyshimet për falsifikim të dokumenteve, lirohet pas intervistimit ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut

Ka përfunduar intervistimi i ish-kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës.

Radojeviq është i dyshuar për falsifikim të dokumenteve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, pas intervistimit, Radojeviq është liruar.

“Ne i kemi dërgu ftesat dje sa e di unë te pesë persona. Katër prej ttyre i kanë pranuar ftesat, një nuk ka qenë në shtëpi. D.m.th. ky ka ardhë dhe është paraqitur sipas ftesës. Arsyeja është intervistim si i dyshimtë për falsifikim të dokumenteve, rasti i strukturave paralele. Intervista ka përfundu, Millan Radojeviq është liruar”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.

Sot më 04.09.2024 KALLXO.com ka raportuar se në ish- objektin e komunës të strukturave paralele serbe në veri është vendosur flamuri i Kosovës.

Rreth 80 qytetarë të komunitetit serb kanë protestuar më 02.09.2024 para këtij objekti që ishte përdorur nga komuna paralele në Mitrovicën e Veriut. Ata kanë kërkuar që të kthehen në vendet e punës.

Më 01.09.2024 në këtë objekt ku kanë operuar strukturat paralele është vendosur një pllakë e Departamentit të patentë shoferëve.

Ndryshe, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se të premten, më 30.08.2024, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.