Dy vëllezërit shpallen fajtorë për tentimvrasje dhe sulm ndaj fqinjit

Eroll Murati dhe Gëzim Murati janë gjetur fajtorë nga gjykata për tentim vrasjen e Demir Huruglicës, fqinjit të tyre.

E tërë ngjarja kishte ndodhur për arsyet të parkimit të veturave, e për këtë rast Eroll Murati, ishte i akuzuar për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje kurse vëllai i tij Gëzimi, vetëm për sulm.

Gjykata në Prishtinë mori vendim ku gjeti që të dy vëllezërit fajtorë për veprat që ju vihen në barrë.

Eroll Murati për tentim vrasje u dënua me tri vite dënim me burg kurse për armëmbajtje me 300 euro gjobë.

Të njëjtit do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Kurse Gëzim Murati për sulm ndaj Huruglicës u dënua me gjobë në shumën prej 500 euro.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Eroll Murati me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta Demir Huruglicën, më 21 shkurt 2018, rreth orës 19:10 në Prishtinë. Kjo kishte ndodhur derisa i dëmtuari Demir Huruglica ishte duke përcjellë dëshmitarët Sulltan Pajazitin dhe Hasim Krasniqin, të dërguar nga familja e të pandehurve Eroll e Gëzim Murati për ndërmjetësim lidhur me mosmarrëveshjen e tyre për parkim të veturave në rrugën e përbashkët.

I pandehuri tjetër në këtë rast, Gëzim Murati  ishte afruar të ndërmjetësuesit për t’i pyetur se çfarë përgjigje kishte dhënë i dëmtuari ndërmjetësuesve. Ndërmjetësuesit i ishin përgjigjur Gëzim Muratit se “Dema nuk po pranon” dhe aty ishte tensionuar situata. Tutje sipas aktakuzës, me qellim që të shmanget kjo gjendje, Huruglica i ishte afruar që të treve dhe ju kishte thënë nuk kanë çka me bisedu në rrugë, “thirrni dy shokët të cilët iu patët premtuar se nuk do t’i lini më kerret në rrugë asnjëherë dhe më keni tradhtuar”.

Pas kësaj në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Eroll Murati doli nga dyert e shtëpisë dhe me armë në dorë u nis drejt Huruglicës duke sharë e pastaj duke shtënë një herë me armë në drejtim të të dëmtuarit. Plumbi të dëmtuarin e ka qëlluar në dorën që e kishte të mbështetur tek barku, duke arritur ta godas edhe në bark me të njëjtën gjuajtje.

Në këto momente dëshmitari Sulltan Pajaziti kishte bërtitur “hej mos bre” e pastaj për t’ia shpëtuar jetën të dëmtuarit, i ishte hedhur sipër për ta shpëtuar nga gjuajtja e dytë e të pandehurit Eroll Murati.

Sipas Prokurorisë, me këtë veprim, i pandehuri Eroll Murati ka kryer veprën penale ‘vrasje në tentativë’. I njëjti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa në të njëjtin rast i akuzuar është edhe Gëzim Murati për veprën e penale ‘sulm’. I njëjti akuzohet se ka sulmuar dhe kërcënuar me fjalët “kemi me të mbytë krejt” të pandehurin Demir Huruglica, pasi që ky i fundi ishte rrëzuar pas goditjeve të marra nga arma e zjarrit.

Jep dëshminë babai i të akuzuarve për tentim vrasjen për shkak të mosmarrëveshjes për parkim të veturave