Jep dëshminë babai i të akuzuarve për tentim vrasjen për shkak të mosmarrëveshjes për parkim të veturave

Në cilësinë e dëshmitarit sot është dëgjuar babi i Eroll dhe Gëzim Muratit, të akuzuar nga prokuroria për tentim vrasjen dhe sulm ndaj Demir Huruglicës, e tërë ngjarja dyshohet të këtë ndodhur për një mosmarrëveshje për parkim të veturave.

Zaim Murati rrëfimin e tij e filloi duke treguar që nuk e di saktë momentin kur ka filluar mosmarrëveshja me familjen Huruglica por i njëjti tha që arsyeja e mosmarrëveshjes ka qenë për parkim të veturave.

“Saktë nuk më kujtohet se kur kanë filluar mosmarrëveshjet me Demen (Demirin), mirëpo arsyeja ka qenë për parkim t’kerreve. Mos me i lanë në sokak…, në oborr temin kem pas vend vetëm për një kerr”- ishin fjalët e Zaimit.

Tutje i njëjti shtoi që për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje kishte kërkuar nga Hoxha Hasim që të ndërmjetësonte që të qetësohej situata.

“Po, me djalin e vogël jena shku te hoxha Hasim pasi e kena lut atë që me mujt me bo një lloj ndërmjetësimi me qetësu situatën”- shtoi tutje babi i të akuzuarve.

Babai i të akuzuarve para gjykatës tregoi versionin e tij në detaje për plagosjen e fqinjit të tyre.

“E mora vesh që nuk ka pranuar (ndërmjetësimin) edhe jam shku te Dema edhe i kam thanë Demë bisedojna t’merremi vesh, ky nuk ka pranuar. Është nisur sokakut nalt drejt shtëpisë t’vet. Unë jam nisë mbas tij t`u e lut me u ndal me bisedu, me u merr vesh…, e kom pa Erollin që u dal para derës tonë edhe kur u shku te dyert e veta Demiri u kthy prej Erollit (Djalit) edhe sikur kur don me sulmu, atëherë unë veç e kom ni krismën”- tha tutje Zaimi.

Dëshmitari tha që gjendej tre ose katër hapa larg Demës, kurse larg djalit të tij Erollit gjendej katër ose pesë hapa.

Pas të shtënës, Zaimi tha që kishte futur dy djemtë e tij brenda në shtëpi, ndërsa hoxhallarët që ishin prezent e që kishin shkuar për të ndërmjetësuar tek Demiri, kishin marrë këtë të fundit dhe e kishin dërguar në spital.

Zaim Murati shprehu keqardhje për gjithë ngjarjen që kishte ndodhur.

“Në fillim m’vjen shumë keq që na ka ndodhë kjo që na ndodhi, na për veti s`jena mësuar me këso far gjanash është rasti i parë, shpreh keqardhje që na ka ndodhë”- u shpreh Zaimi.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datë 17 janar ku do të dëgjohet eksperti balistik për këtë rast.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Eroll Murati me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta Demir Huruglicën, më 21 shkurt 2018, rreth orës 19:10 në Prishtinë.

Kjo kishte ndodhur derisa i dëmtuari Demir Huruglica ishte duke përcjellë dëshmitarët Sulltan Pajazitin dhe Hasim Krasniqin, të dërguar nga familja e të pandehurve Eroll e Gëzim Murati për ndërmjetësim lidhur me mosmarrëveshjen e tyre për parkim të veturave në rrugën e përbashkët.

I pandehuri tjetër në këtë rast, Gëzim Murati  ishte afruar të ndërmjetësuesit për t’i pyetur se çfarë përgjigje kishte dhënë i dëmtuari ndërmjetësuesve. Ndërmjetësuesit i ishin përgjigjur Gëzim Muratit se “Dema nuk po pranon” dhe aty ishte tensionuar situata. Tutje sipas aktakuzës, me qellim që të shmanget kjo gjendje, Huruglica i ishte afruar që të treve dhe ju kishte thënë nuk kanë çka me bisedu në rrugë, “thirrni dy shokët të cilët iu patët premtuar se nuk do t’i lini më kerret në rrugë asnjëherë dhe më keni tradhtuar”.

Pas kësaj në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Eroll Murati doli nga dyert e shtëpisë dhe me armë në dorë u nis drejt Huruglicës duke sharë e pastaj duke shtënë një herë me armë në drejtim të të dëmtuarit. Plumbi të dëmtuarin e ka qëlluar në dorën që e kishte të mbështetur tek barku, duke arritur ta godas edhe në bark me të njëjtën gjuajtje.

Në këto momente dëshmitari Sulltan Pajaziti kishte bërtitur “hej mos bre” e pastaj për t’ia shpëtuar jetën të dëmtuarit, i ishte hedhur sipër për ta shpëtuar nga gjuajtja e dytë e të pandehurit Eroll Murati.

Sipas Prokurorisë, me këtë veprim, i pandehuri Eroll Murati ka kryer veprën penale ‘vrasje në tentativë’. I njëjti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa në të njëjtin rast i akuzuar është edhe Gëzim Murati për veprën e penale ‘sulm’. I njëjti akuzohet se ka sulmuar dhe kërcënuar me fjalët “kemi me të mbytë krejt” të pandehurin Demir Huruglica, pasi që ky i fundi ishte rrëzuar pas goditjeve të marra nga arma e zjarrit.