Dosja e Prokurorisë për mashtrimin me grante – Dëshmitarët rrëfejnë për mijëra eurot që i dhanë

Dosja e Prokurorisë për organizimin e skemave piramidale në mashtrimin e qytetarëve dhe fermëve në vlerë 600 mijë euro ka vazhduar në shqyrtim gjyqësor më 02.04.2024 me dëgjjimin e 3 dëshmitarëve të Prokurorisë.

Për këtë rast po akuzohen Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna. Ata po akuzohen për mashtrim të qytetarëve, fermerëve dhe organizim të skemave piramidale, e që sipas prokurorisë, kanë përfituar shuma deri në 600 mijë euro.

Të akuzuarit  në fjalë akuzohen se kanë mashtruar qytetarët – fermerët përmes organizatës QAD (Qendra për Avokim dhe Diplomaci) dhe kanë shfrytëzuar gjendjen tyre të vështirë financiare duke krijuar besim të rremë tek ata përmes rrjeteve sociale kinse për grante.

Dosja thotë se kjo ka ndodhur gjatë periudhës kohore 04.08.2014 deri më 02.12.2016.

Secili nga 3 dëshmitarët e sotëm dëshmua se kishin dhënë mijëra euro për projektet që kishin të bënin me mbjelljen e fidanëve të arrës.

Faton Selmani, i dëmtuar në këtë rast, tregoi para gjykatës se përmes bankës i kishte dhënë QAD-it shumën në vlerë prej 3 mijë e 370 eurove, kurse para në kesh i kishte dhënë 297 euro në emër të TVSH-së dhe 400 euro i kishte thënë për përpilimin e planit të biznesit.

Ai tregoi edhe për afatin e projektit, personat me të cilët kishte biseduar, çka i kishte thënë i akuzuari Valmir Hajrullahu përmes telefonit e detaje tjera.

Dëshmitari Faton Selmani, seanca 02.04.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto:KALLXO.com

“Nga 01.10.2016 deri më 30.10.2016 ka qenë afati i projektit. Punimet nuk kanë filluar asnjëherë. QAD-i sipas kontratës ka pasur për obligim edhe rrethimin e arës, me i mbjell fidanët e arrës, hapjen e bunarit – pusit dhe sistemit “pike-pikë për ujitje”.  Me sa e mbajë mend unë, u jam drejtuar zyrave të QAD-it në Grand në Prishtinë dhe aty ka pasur shumë punëtorë që nuk i mbaj mend, të cilët më kanë udhëzuar t’i drejtohem zyrës së QAD-it në Ferizaj. Përmes telefonit, Valmir Hajrullahu njëherë me sa mbaj mend, i ka elaboruar kriteret e kontratës dhe ka thënë që duhet me u paraqit në Ferizaj. Pasi projekti nuk ka filluar, unë më 30.11.2016, kam shtruar letër përmes postës Valmir Hajrullahut dhe kam kërkuar nga ai të përmbushen obligimet e zotuara. Nuk kam pranuar asnjë përgjigje, asnjë email e asnjë thirrje telefonike.” – tha ai dëshmitari para gjykatës.

Dëshmitari tjetër pas tij, Iriad Syla para gjykatës tha se për veprimtarinë e Qadit ishte njoftuar përmes mjeteve të informimit kurse shumën të cilën e kishte dhënë ishte 28% i projektit, që arrinte shumën prej 4 mijë e 620 eurosh.

“Përmes mjeteve të informimit jam informuar për veprimtarinë e QAD-it dhe kam aplikuar për grant. Më kanë telefonuar se jam përfitues i projektit dhe më pas më është kërkuar 28% i shumës të projektit, diku prej 16 mijë eurosh nëse më kujtohet saktë. Projekti ka pas të bëjë me mbjelljen e fidanëve të arrës, sistemin pikë-pikë, rrethojave dhe bunari. 28% i asaj, i ka ra shuma prej 4 mijë e 620 euro”- u shpreh para gjykatës dëshmitari.

Dëshmitari Iriad Syla, seanca 02.04.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto:KALLXO.com

Ky dëshmitar para gjykatës tha se i akuzuari i kishte thënë se punimet do të bëheshin menjëherë sapo ta kryente pagesën, kurse kontratën nuk kishte arritur ta merrte, ndonëse i ishte premtuar.

“Valmiri më ka thanë “bane pagesën dhe kanë me filluar punimet menjëherë”. E kam bërë pagesën me pas, dytën herë kur kam shkuar me çu faturën dhe pas asaj me kërkuar kontratën dhe fillimin e punimeve. Drejtori Freskim Buqaj nuk ka qenë aty, as Valmiri për punë të kontratës. Kontratën nuk kam arrit me marrë. Dhe ma jepi numrin e punëkryesit Avdyl Kryeziu dhe kam kontakuar me të, më ka thanë se nuk më kanë dërgu pare dhe nuk mundem me fillu punën. Afati për punime ka qenë 25.11.2016 dhe sot e asaj dite asgjë nuk ka ndodh, vetëm kur kam dëgjuar se i kanë marrë krimet e rënda dhe i kanë mbyll zyrat.” – tha ai para gjykatës.

Dëshmitari i fundit i cili u dëgjua në seancë ishte Avni Delijaj. Ai tha se kishte hyrë edhe në kredi për ta bërë pagesën në shumën prej 3 mijë 255 euro ndaj QAD-it.

Dëshmitari Avni Delijaj, seanca 02.04.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto:KALLXO.com

“Në shtator të vitit 2016 kam shkuar te zyrat e tyre te hoteli Grand, kam aplikuar për një grant që një parcelë prej 1 hektar ta mbjellë me arra. Kam aplikuar aty dhe pas një kohe më 27.08.2016 më kanë thirrur përmes telefonit dhe më kanë thënë “e ke fituar grantin”. Kam hy në kredi për me pagua shumën prej 3 mijë 255 eurove” – rrëfeu para gjykatës.

Secili nga dëshmitarët e sotëm tregoi para gjykatës se ndihen të mashtruar nga ky rast dhe bënë kërkesë pasurore juridike për dëmet që u janë shkaktuar sipas tyre.

Ky gjykim do të vazhdojë në muajin maj me vazhdimin e dëshmitarëve tjerë të prokurorisë.

Trupi gjykues që po gjykon këtë rast përbëhet nga Agim Kuçi – kryetar, Medie Bytyqi dhe Gent Beka – anëtarë.

Dosja e prokurorisë për të akuzuarit

Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj akuzohen se kanë bashkë-themeluar organizatën joqeveritare QAD (Qendra për Avokim dhe Diplomaci) dhe përmes kësaj organizate kishin krijuar besim të rremë tek qytetarët-ku shumica prej tyre ishin bujq kinse për t’iu ofruar grante (subvencione).

Dosja thotë se kjo organizatë selinë qendrore e ka pasur në Prishtinë, kurse degët i ka pasur edhe ne qytetet tjera të Kosovës si Lipjan, Shtime, Malishevë, Ferizaj dhe Suharekë.

Gjithnjë sipas dosjes, bujqit kishin marrë pjesë në projekt mes 25 dhe 30% të kërkesës bazë duke i paguar ato në xhirollogaritë bankare në emër të QAD-it, ku kishin qenë të detyruar të paguanin edhe TVSH-në.

Dosja thotë se këto para i kishin tërhequr menjëherë të akuzuarit të cilën ishin thirrur se kanë marrëveshje me Komisionin Europian dhe Ministrinë e Bujqësisë, nuk kishin zbatuar obligimet e tyre të premtuara dhe kishin përfituar shuma që arrin deri në 600 mijë euro.

Me këto verime, të akuzuarit Valmir Hajrullahu dhe Freskim Buqaj akuzohen se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale,

Pika e dytë e dosjes thotë se të akzuuarit Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna kanë paraqitur fakte të rrejshme, si dhe kanë mashtruar qytetarët duke i vënë në lajthitje ata si dhe kanë përfituar shumën prej 600 mijë eurosh.

Me këtë, sipas prokurorisë ata kanë kryer veprën penale të mashtrimit.