Foto: Përparim Rama, Facebook

Donjeta Dragusha emërohet drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Rural

Donjeta Dragusha është emëruar drejtoreshë e Drejtorisë për Zhvillim Rural në Komunën e Prishtinës sot më 20.02.2024.

Emërimin e saj e ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Përparim Rama.

“Donjeta, me vullnet dhe shumë energji do të angazhohet për të zhvilluar edhe më tutje bujqësinë dhe turizmin rural në fshatrat tona, të cilat kanë potencial të madh për agroturizëm” – ka shkruar Rama në Facebook.

Kjo Drejtori më parë është quajtur Drejtoria e Bujqësisë dhe është udhëhequr nga Plator Gërdovci.

Rama ka falënderuar ish-drejtorin për, siç tha, punën e tij dhe mbështetjen e palodhshme që u ka dhënë bujqve.

Ky emërim vjen pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në Prishtinë, që u bë më 08.02.2024 pas votimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës për shfuqizimin e vendimit për këmbimin e pronave në Badovc.

Rama sot ka emëruar edhe drejtoreshën e Kulturës. Në këtë pozitë, ai ka emëruar Sibel Halimin, zëdhënësen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Për emërimin e Donjeta Dragushës në postin e drejtoreshës ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Donjeta, në procesin e fundit zgjedhor të LDK-së, u zgjodh Kryetare e Degës së Parë në Prishtinë, duke lënë kështu një shenjë të bukur të historisë partiake në Kryeqytet” – ka shkruar ai në Facebook.

Ai e ka quajtur atë shembull të aktivizmit e model për vajza të reja në veprim politik e shërbim publik.