Perparim Rama dhe Sibel Halimi, Foto:Perparim Rama, Facebook 20.02.2024

Sibel Halimi emërohet drejtoreshë e Kulturës në Kryeqytet

Sibel Halimi, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka marrë pozitë të re në Kryeqytet. Halimi do të jetë drejtoreshë e Kulturës në qeverisjen e Kryeqytetit që udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së. Këtë pozitë e ka mbajtur Arta Balaj nga PDK deri në shkëputjen e koalicionit me LDK-në më 08.02.2024. 

Shkëputja e koalicionit u bë pas votimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës për shfuqizimin e vendimit për këmbimin e pronave në Badovc. Më 08.02.2024, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre.

Prezantimin e pasardhëses së Arta Balajt, kryetari Rama e bëri duke thënë se Sibel Halimi e ka marrë detyrën e re për ta vazhduar misionin për një kryeqytet “me jetë të pasur kulturore e artistike”.

“Sibelit i uroj mirëseardhje, dhe punë të mbarë në detyrën e saj të re. Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah” – ka shkruar kryetari kryeqytetas më 20.02.2024 duke përshkruar edhe biografinë e Sibel Halimit.

21.03.2021, Sibel Halimi iu bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit lokale që janë mbajtur në vitin 2021, Halimi ka qenë kandidate e LDK-së për kryetare të Komunës së Ferizajt.

Gjatë kësaj kohe, nga 23.04.2021, Sibel Halimi ka mbajtur pozitën e zëdhënëses së LDK-së.

Ajo është poete dhe autore e disa librave me poezi. Që nga viti 2004, Sibeli merret aktivisht me studime e kërkime shkencore në fushën e studimeve gjinore dhe sociologjisë, duke trajtuar problemet socio-filozofike.

Prej vitit 2014 – 2018 ka qenë e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Departamentin e Filozofisë dhe atë të Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, si dhe për dy mandate ishte anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës.