Digjen dy objekte e dy serra në Lipjan, njëri nga zjarrfikësit dërgohet për tretman mjekësor

Një zjarr ka përfshirë dy objekte, një me ushqim për kafshë dhe një me pajisje bujqësore si dhe dy serra në Lipjan.

Si pasojë e tymit, njëri nga zjarrfikësit ka pranuar tretman mjekësor.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se informatën për këtë zjarr e kanë pranuar rreth orës 19:00.

Tutje ajo ka shtuar se në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit dhe Policia të cilët po merren me rastin.

Shefi i zjarrfikësve në Lipjan, Haqif Rrustemi, për KALLXO.com ka thënë se zjarri aktualisht është lokalizuar, mirëpo ende nuk është shuar pasi janë disa mbetje të cilat vazhdojnë të digjen.

“Ushqimi për kafshë, një pjesë e kulmit prej objekteve që është djegur do të digjen ende, mirëpo nuk ka mundësi më që të përhapet e të rishfaqet më shumë” – ka thënë Rrustemi.

Ai po ashtu ka thënë se do të mbesin në mbikëqyrje të zjarrit deri sa të mos ketë më nevojë për prezencën e zjarrfikësve aty.