Dhunë në familje në Malishevë, gruaja raporton se u sulmua nga tre të dyshuar

Dy raste në Prishtinë, një në Pejë dhe një në Malishevë për dhunë në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Policinë e Kosovës.

Për këto raste, Policia ka arrestuar katër persona në dyshuar, tre prej të cilëve janë të përfshirë në njërin rast.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga një burrë.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunës në familje raportohet të ketë ndodhur në Prishtinë, ku një grua ka njoftuar Policinë e është sulmuar fizikisht nga një burrë.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar.

Në Pejë, organet e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë në familje ndaj një gruaje dhe një burri.

Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt

Në Malishevë, një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se është sulmuar fizikisht nga dy burra dhe një grua.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.