Dështon seanca ndaj të akuzuarve për vjedhje të votave brenda subjektit të Vetëvendosjes

 

Është shtyer sërish seanca kundër të pandehurve Luljeta Kelmendi, Altin Bekteshi, Feime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardh Berisha, Avdullah Azemi, Samsun Bolukbashi, të cilët po akuzohen për veprën penale – falsifikim i rezultateve të votimit – e paraparë me Kodin Penal, për shkak të mungesës së mbrojtëses së Feime Sijarinës, Emine Bajrami dhe të pandehurës Vlora Jasharaj.

Shumica e të pandehurve, të cilët sipas aktakuzës së prokurorisë akuzohen se në Qershor të vitit 2017 në një nga venvotimet e Shkollës Fillore “Dardania” në Prishtinë kishin falsifikuar rezultatet për deputetë të Kuvendit të Kosovës duke manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda të njëjtit subjekt politik Lëvizjes Vetëvendosje ashtu që kandidatëve të preferuar ua kanë shtuar 50 vota kurse kandidatëve të tjerë të LVV-së ua kanë hequr 19 vota, u ulën sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës, departamentit të krimeve të rënda por u detyruan ta lëshojnë sallën pa e mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar për akuzën të cilën po ngarkohen nga prokuri i rastit Ilaz Beqiri.

Shkaktar kryesor për mosmbajtjen e seancës u bë mungesa e mbrojtëses Emine Bajrami e cila sipas gjyqtarit ishte ftuar në mënyrë të rregullt por nuk e kishte arsyetuar mungesën.

E papranishme ishte edhe e pandehura Vlora Jasharaj për të cilën gjyqtari Gëzim Ademi konfirmoi se familja e saj kanë treguar se ajo ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjyqtari i vetëm Gëzim Ademi konstatoi se me mungesat e lartcekura nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e seancës të shqyrtimit fillestar ndaj dhe morri aktvendim që seanca e shqyrtimit të shtyhet për datëm 7 shtator në ora 8:40.

Me këtë rast gjyqtari paralajmëroi se në rast se Jasharaj nuk paraqitet edhe në seancën e radhës procedura gjyqësore ndaj saj do të veçohet.

“Pata me veçu procedurën ndaj Vlora Jasharajt por meqenëse po mungon mbrojtësja e Feimes po e shtyjmë seancën” – u shpreh gjyqtari Gëzim Ademi.

Çka thotë aktakuza?

Sipak aktakuzës me datë 11 Qershor 2017, pas orës 19:00, në vendvotimin nr. 1904 E/ 08R i cili gjendej në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë të pandehurit respektivisht Luljeta Kelemendi në cilësinë e kryesueses së Këshillit të vendvotimit ndëresa të pandehurit e tjerë: Altin Bekteshi, Feime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardh Berisha, Avdullah Azemi, Samsun Bolukbashi në cilësinë e anëtarëve të këshillit të vendvotimit  në bazë të marrëveshjes paraprake kanë falsifikuar rezultatet e votimit, për deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda përbrenda të njëjtit subjekt politik – Lëvizjes Vetëvendosje – ashtu që kandidatëve të prefuar nga ky subjekt u kanë shtuar 50 vota, kurse kandidatëve të tjerë ua kanë hequr 19 vota, dhe këto rezultate i kanë bartur në Formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve, me ç’rast kanë dëmtuar KQZ-në.

Sipas aktakuazës të gjithë të pandehurit e kanë mohuar kryerjen e veprës me të cilën po ngarkohen.