Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Dëshmitë lidhur me jetën personale, përjashtohet publiku në gjykimin për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Në Gjykatën e Pejës po vazhdon gjykimi ndaj Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, ku një autobus ishte sulmuar me kallashnikov, e ishin vrarë dy nxënës të moshës 17 vjeçare L.H. dhe G.M. dhe shoferi i autobusit G.Gj.

Në këtë rast, sot janë duke u dëgjuar dëshmitaret Pranvera Halilaj dhe Rozeta Pjetraj, që sipas prokurorisë do të vërtetojnë motivin e hakmarrjes së kësaj vrasjeje.

Por, për shkak që këta dëshmitarë pritet të rrëfejnë detaje nga jeta personale e tani të ndjerës H.M., vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, e nga jeta personale e vetë të akuzuarëve, publiku sot është përjashtuar.

Kjo sipas gjyqtares së rastit Violeta Husaj-Rugova, është bërë duke u  bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, të cilat parashohin mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve tjerë në procedurë.

Kërkesën për përjashtim të publikut e ka bërë avokatja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, Kosovare Kelmendi, kurse prokuroroja ia kishte lënë gjykatës të vendosë duke mos shprehur mendim nëse është pro apo kundër mbylljes.

Më 8 shkurt,  është dëgjuar rrëfimi i nxënëses Andina Bajramaj tani 19-vjeçare, e cila kishte qenë në autobusin e sulmuar natën kritike, dhe kishte dhënë përshkrime mbi sulmuesin, por nuk kishte arritur t’ia shihte fytyrën.

Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?

Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H.M., në vitin 2020”, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj, i cili u vra në sulmin kundër autobusit.

Edhe gruaja e shoferit të ndjerë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë së saj.

I akuzuari Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.

Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

Në këtë gjykim janë dëgjuar edhe rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.

Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë.

Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.

Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, ku ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Mbi Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë.

Akuza përfaqësohet nga prokurorja Sahide Gashi.

Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.