Akil Gjakova, Foto:Facebook
Gjykata refuzon propozimin e Prokurorisë, Akil Gjakova nuk shkon në paraburgim
Xhudistit kosovar, Akil Gjakova, i është shqiptuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar në distancë prej 50 metra.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i tij, Asdren Mekaj.
Ndalesa për t’iu afruar vendin apo personit të caktuar në distancë prej 50 metra është marrë nga gjyqtari i çështjes, Veton Ademaj.
Në rast të mos-respektimit të kësaj mase, xhudistit kosovar, Akil Gjakovës do t’i aplikohet masa e paraburgimit.
Seanca dëgjimore ndaj Akil Gjakovës u mbajt të enjten, më 18.04.2024 në Gjykatën e Pejës.
Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj Gjakovës, por që gjyqtari i çështjes Veton Ademaj nuk e ka parë të nevojshme që xhudistit t’i caktohet masa e paraburgimit.
Seanca e cila u mbajt te enjten nuk ka ishte e hapur për publikun dhe mediat.
Akil Gjakova ishte arrestuar të martën, më 16.04.2024 rreth orës 22:00, ndërsa është dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Ai po dyshohet për dhunë në familje.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë dosjen e kërkesës së Prokurorisë e në të cilën janë vënë edhe dyshimet se Gjakova mund të arratiset nëse qëndron në liri, kjo për faktin se i njëjti nuk ishte gjetur në shtëpi në ditën kur ishte kërkuar nga Policia pas raportimit të bashkëshortes për dhunë në familje.
Në bazë të dosjes, ai fillimisht i kishte thënë policëve se do të paraqitet me avokatin e tij në Polici.
Meqenëse nuk ishte paraqitur ashtu siç kishte thënë, Policia kishte nisur kërkimin e tij në shtëpinë e tij, as aty ai nuk ishte, ndërsa iu la edhe ftesa për paraqitje në stacion policor.
Tutje një tjetër pikë që Prokuroria ka konsideruar se është bazë për caktimin e paraburgimit është edhe fakti i ndikimit në dëshmitarë si dhe fshehja e provave, e edhe përsëritja e veprës penale.
KALLXO.com ka siguruar edhe ankesën që ka ushtruar ish-bashkëshortja e xhudistit Akil Gjakova.
Në bazë të dosjes, më 13.04.2024 Policia kishte pranuar një informacion përmes linjës 192 nga ankuesja S.Gj. për dhunë në familje. Ajo bashkë më fëmijën 3-vjeçar janë dërguar në stacion policor pasi kanë dalë ekipet në vendin e ngjarjes dhe aty është intervistuar.
Dhuna fizike e cila dyshohet se u përdor nga Akil Gjakova ndaj bashkëshortes së tij me të cilën është në proces divorci, sipas dosjes, ka ndodhur gjatë vitit 2023.
Kishte qenë vetë ankuesja e cila kishte dërguar prova materiale në Polici në lidhje me dhunën fizike dhe psikike që pretendon se kishte përjetuar gjatë vitit të kaluar.
Në ditën kur u raportua Gjakova për dhunë në familje, ankuesja S.Gj., ka raportuar në Polici se kishte shkuar te Akil Gjakova bashkë me fëmijën e tyre dhe aty e kishte gjetur derën mbyllur dhe një shënim “derën e ke mshelë dhe jam ka t’i boj gati teshat dhe po t’i bi te shtëpia jote”.
Viktima në Polici ka deklaruar se ka pasur vazhdimisht dhunë psikike nga Akil Gjakova.
Pas intervistimit nga ana e Policisë në prezencë edhe të zyrtares së QPS, S.Gj. është dërguar me kërkesë të saj në strehimore.
Nga 13.04.2024, Policia kishte iniciuar rastin ndërsa gjatë datës 16.04.2024 të njëjtit kishin shpallur në kërkim Akil Gjakovën pasi nuk ishte lokalizuar në Kosovë.