Beqë Hamzaj - dëshmitar, seanca 22.12.2023. Foto:Jetlira Buzhala/KALLXO.com

'I ka vra nxënësit për me mbulu hakmarrjen','Buka u bo e djali s’erdh' – Dëshmia e babait të djalit që u vra në autobusin me nxënës në Gllogjan

Beqë Hamzaj u dëgjua sot në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj Kreshnik, Halil e Kastriot Mehmetaj të cilën akuzohen për sulmin ndaj autobusit në Gllogjan ku mbetën të vrarë 3 persona.

Dëshmitari është babai i njërit prej tre personave të vrarë në autobus, 17 vjeçarit – L.H. Në këtë sulm kishin mbetur të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., dhe shoferi i autobusit G.Gj.

Ai rrëfeu momentet e mbrëmjes kritike duke thënë se djali i tij kthehej zakonisht nga shkolla në 18:50 minuta, kurse atë natë i kishte shkruar nënës së tij diku rreth orës 18:35.

Atë natë djali im i ndjeri, diku edhe 25 në 7 i ka shkru nanës së vet ”bama bukën gati se jam ka vij e nuk vanohna. Mu zakonisht djali më vijke edhe 15 minuta në 7 ose 10 minuta në 7. E kam marr telefonin dhe e kam thirrë” – tha ai para gjykatës.

Ai shtoi se meqë ishte vonuar e kishte thirrë në telefon por aty ishte lajmëruar një djalë tjetër.

“Mu ka lajmëru një djalë tjetër. Më ka thënë mos e leni pa ardh se na kan gjujt me automat në autobus” – tha Hamzaj sot në gjykatë.

Ai tha se kishte qenë i pari që ka arritë te vendi ngjarjes dhe kishte parë momente tmerri.

“Kur kam arritë te autobusi, kam hy aty përmes xhamit të thyer dhe e kam pa djalin tim, shoferin dhe çikën e Florimit, të gjithë një mbi një” – rrëfeu ai para gjykatës.

Ai tha se kur kishte parë nxënësit e tmerruar duke bërtitur, për një moment e kishte harruar djalin e tij.

“Besomni, kur e kam pa atë tmerr, për një moment e kam harru djalin tem” – rrëfeu Beqë Hamzaj.

Këtë vrasje ai po e ndërlidh me vetëvrasjen e vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, për të cilin tha se ka pasur raporte shoqërore shumë të mira.

“Kemi qenë shokë prej shkollës fillore e deri m’u ka vra djali” – tha ai.

Por, ai shtoi se këto raporte kishin ndryshuar pas i ishte vrarë djali “si dita me natë”. Ai dëshmoi se i akuzuari Halil kishte ardhur në të pame por nuk kishte qëndruar më shumë se 10 minuta dhe kishte qenë i maskuar me jaka lart dhe syzet poshtë e me kapelë me strehë.

Ai tha se dyshimet se Halil Mehmetaj e kishte bërë këtë vrasje i kishte pasur qysh nga momenti kur nuk e kishte parë të akuzuarin Halil në Spitalin e Pejës pas ngjarjes kritike.

Lidhur me dyshimet e tij ai tha se i kishte biseduar me vëllezërit e tij pasi ishte kryer e pamja, por kishte thënë se këtë do ia lë në dorë drejtësisë, se “Halili me djemtë na i kanë vra fëmijët”.

Ai shtoi edhe disa detaje lidhur me vetëvrasjen që po përmendet, të H.M. – vajza e të akuzuarit Halil.

“Kemi dëgju fjalë se Halili ka marrë pare nga Gania (shoferi i ndjerë) lidhur me vetëvrasjen e vajzës së tij “ – tha ai.

Kjo vetëvrasje kishte ndodhur më 14 qershor të vitit 2020, një vit e gjysmë para vrasjes së dy nxënësve dhe shoferit në autobus, sipas dosjes së prokurorisë.

Gjatë seancës së kaluar ndaj kryefamiljarit Mehmetaj dhe dy djemve të tij pati rrëfime në detaje nga të akuzuarit dhe familjarët e viktimave.

Sipas Prokurorisë, vrasja ka ndodhur “për motive hakmarrëse pa çarë kokën për pasojat” të familjes Mehmetaj ndaj tani të ndjerit G.Gj., duke e ndërlidhur vetëvrasjen e motrës së të akuzuarve Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj, H.M., me tani të ndjerin G.Gj.

Dëshmitari i sotëm tha se Halil Mehmetaj në varrimin e vjzës së tij të vetëvrarë e kishte gjuajtur orën e dorës në varr, në shenjë hakmarrje.

Këtë ndërlidhje me vetëvrasjen e H.M. si motiv të vrasjes që po gjykohet në këtë rast, mbrojtja e të akuzuarve e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria.

Halil Mehmetajt nuk i’u kishte aprovuar pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj – Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.

Për vetëvrasjen e motrës së tij, i akuzuari Kastriot Mehmetaj në seancën e 30 nëntorit të këtij viti kishte thënë se ajo kishte lënë një letër në të cilën nuk kishte fajësuar askënd.

Për atë rast (vetëvrasjen)  ia kemi lënë drejtësisë, ka dalë që ka qenë depresion momental. Nuk e kemi akuzu askënd, jemi duke u mbajtë padrejtësisht” – ishte shprehur i akuzuari para Gjykatës.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka thënë se do të ftohen si dëshmitarë persona nga shoqëria e vajzës së vetëvrarë H.M. dhe kolegë të të ndjerit G.Gj., e do të shpalosen shumë prova të tjera.

Ajo kishte thënë  se do të vërtetohet gjatë këtij gjykimi për motivet e vrasjes përmes këtyre dëshmive të dëshmitarëve e  përmes provave materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.

Sipas Gashit, municionet që ishin gjetur te familja Mehmetaj kishin përkuar me karakteristikat dhe prejardhjen e armës së gëzhojave që ishin gjetur në vendin e ngjarjes.

Për këto pretendime, avokatja Kosovare Kelmendi në seancën e kaluar kishte thënë se është normale të kenë ngjashmëri me karakteristikat dhe prejardhjen e armëve meqë ato armë ishin që nga koha e pasluftës dhe ishin nga i njëjti prodhues.

Ajo kishte shtuar se ky rast duhet trajtuar me kujdes.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky insitucuon në maj të këtij viti, ku u shpalosën detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Vrasja kishte ndodhur në orët e mbrëmjes deri sa një autobus po qarkullonte në rrugën nëpër Gllogjan.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.