Dëshmia në gjykatë e gruas së shoferit të vrarë në Gllogjan, seanca mbyllet për publikun

Në seancën e martës, në Gjykatën e Pejës, ku u dëgjua si dëshmitar babai i nxënëses së vrarë, Florim Mustafaj, radhën pas tij për të dëshmuar e pati gruaja e shoferit të vrarë në Gllogjan më 2021, Gentiana Çallaku.

Ata u paraqitën dhe u dëgjuan si dëshmitarë në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, ku mbetën të vrarë 2 nxënës dhe shoferi i autobusit, i cili ishte sulmuar me kallashnikov.

Me kërkesë të mbrojtjes dhe dakordim të palëve tjera, u vendos nga gjykatësja, Violeta Husaj – Rugova që seanca e pasdites kur u dëgjua gruaja e shoferit të përjashtohet publiku për shkak të ndjeshmërisë.

“Në mbështetje të nenit 289, paragrafi 3, pika 3.2 kërkojmë përjashtimin e publikut, ngase është në interes të të akuzuarëve dhe të procedurës për shkak të përmbajtjes së ndjeshme të dëshmive të së njejtës” – tha avokatja Kosovare Kelmendi.

Detaje të reja u thanë sot në këtë gjykim ndaj të akuzuarit Halil Mehmetaj, me djemtë e tij Kreshnikun e Kastriotin.

Në këtë seancë u mësua se i akuzuari Halil Mehmetaj bashkë më dëshmitarin Florim Mustafaj e kishin regjistruar bashkë në shkollë të mesme nxënësen e ndjerë.

“Florim, kush e ka regjistru Gentën në shkollë?” – e pyeti i akuzuari dëshmitarin Mustafaj sot në seancë.

“Unë dhe ti, bashkë e kemi regjistru” – u përgjigj ai para gjykatës.

Kjo vajzë kishte mbetur e vrarë pasi autobusi që po bartte atë dhe nxënësit tjerët nga shkolla ishte sulmuar me kallashnikov mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021.

Tri viktima kishin mbetur nga ky sulm, e për këtë po akuzohen tre persona.

Mustafaj dha detaje edhe lidhur me sjelljen e të akuzuarit Halil Mehmetaj, duke thënë se i njëjti kishte ardhur në të pame me fytyrë të zbehur, kokë-ulur dhe nuk ishte sjellë sikur në të pamet tjera. Këto detaje ia kishin thënë dëshmitarit shokët e tij, ngase sipas tij nuk kishte vërejtur diçka pasi që kishte qenë “me mërzitë e veta’’.

Tutje, ai foli edhe për natën kritike kur kishin shkuar te spitali, tek fëmijët e vrarë.

“Mua nuk m’kanë lanë me hy. Nuk e kam pa Halilin në oborrin e spitalit. Ka pasur aty shumë shokë dhe shumë bashkëfshatarë. Halili nuk ka qenë” – rrëfeu Mustafaj.

Veç kësaj ai dha edhe një detaj të cilin nuk e kishte thënë më herët.

Sipas tij, i akuzuari pas të pames i ishte drejtuar me këto fjalë të cilat kishin mbetur në mendjen e dëshmitarit.

“Florim, kur të përmendet konopi dhe kur të degjohet fjala kallash, për ty dhe për mua na brenë (shqetëson) kjo punë. Se vajza jem u vra në konop, e vajza jote është vra me kallash”.

Kjo çështje ka të bëjë me motivin e vrasjes sipas prokurorisë.

Pretendimet e prokurorisë janë që kjo vrasje ka qenë në shenjë hakmarrjeje të familjes Mehmetaj ndaj G. Gj. shoferit të autobusit, për vetëvrasjen e H. M. vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, një vit para ngjarjes tragjike të Gllogjanit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre, Halili i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria.

Halil Mehmetajt nuk iu ishte aprovuar pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.

Për vetëvrasjen e motrës së tij, i akuzuari Kastriot Mehmetaj në nëntor të vitit të kaluar kishte thënë se ajo kishte lënë një letër në të cilën nuk kishte fajësuar askënd.

“Për atë rast (vetëvrasjen) ia kemi lënë drejtësisë, ka dalë që ka qenë depresion momental. Nuk e kemi akuzu askënd, jemi duke u mbajtë padrejtësisht”- ishte shprehur i akuzuari para Gjykatës.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi kishte thënë se do të vërtetohet gjatë këtij gjykimi motivi i vrasjes përmes këtyre dëshmive të dëshmitarëve e përmes provave materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.

Sipas Gashit, municionet që ishin gjetur te familja Mehmetaj kishin përkuar me karakteristikat dhe prejardhjen e armës së gëzhojave që ishin gjetur në vendin e ngjarjes.

Për këto pretendime, avokatja Kosovare Kelmendi kishte thënë se është normale të kenë ngjashmëri me karakteristikat dhe prejardhjen e armëve meqë ato armë ishin që nga koha e pasluftës dhe ishin nga i njëjti prodhues.

Ajo kishte shtuar se ky rast duhet trajtuar me kujdes.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion në maj 2023, ku u shpalosën detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.